Lajme
Arrestohet dhe suspendohet polici, goditi me veturë një këmbësore në Obiliq
Demokracia
12:48 | 23 Janar 2024

Share:

Inspektorati policor, ka bërë të ditur se ka suspenduar një polic nga puna, për shkak se dyshohet se goditi aksidentalisht me veturë një këmbësore, jashtë detyrës zyrtare me veturë private.

Aksidenti është raportuar të hënën, në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq, ndërsa viktima ishte duke e kaluar rrugën kur u godit.

Pas kësaj, vozitësi e ka dërguar të lënduarën për tretman mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obliq, ku më pas ajo u dërgua në QKUK Prishtinë.

Njoftimi i plotë:

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës dje në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më lëndime trupore në mes një automjeti dhe një këmbësori ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private).

Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar.

Sipas hetimeve fillestare , aksidenti është raportuar të ketë ndodhur dje (më 22.01.2024) rreth orës 17:00 në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq dhe dyshohet se drejtuesi i automjetit ka goditur këmbësoren e cila në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën.

Pasi që ka ndodhur aksidenti, vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në QKUK Prishtinë.

Pas veprimeve hetimore, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i Trafikut Publik” nga IPK është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë.

Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna.

Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

Të ngjashme