Lajme
Ardita Sinani i quan puçist Shqiprim Arifin dhe Sami Salihun
Demokracia
22:29 | 11 Prill 2022

Share:

Pasi u shkarkuar me 20 vota nga Kuvendi Komuna, ka reaguar Ardita Sinani.

Ardita Sinani, sot në Kuvendin Komunal të Preshevës u shkarkuar me 20 vota nga posti i të pares së Preshevës, shkruan Demokracia.com.

Pas këtij shkarkimi, udhëheqjen e Preshevës e ka marrë Shqiprim Arifi, i cili siç thekson Sinani, nuk mundi ta marrë përmes votave të popullit.

Përmes një reagimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Ardita Sinani i ka quajtur puçist Shqiprim Arifin dhe Sami Salihun, duke thënë se nuk e përfillën as Kosovën e as Shqipërinë, por që këtë puç e kryen nga “lartë”, dhe në këtë mënyrë eliminuan edhe Shaip Kamberin nga përfaqësimi në Kuvendin e Serbisë por edhe atë nga e para e Preshevës.

LEXO EDHE: 

Ragmi Mustafa me akuza të rënda pas rikthimit të Shqiprim Arifit në krye të Preshevës: Kuislingë të mbështetur nga Beogradi

Sinani i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Luginës së Preshevës që të bashkohen sepse siç u shpreh ajo, Presheva dhe Lugina janë të preshevarve dhe luginasve dhe jo e personave të caktuar, të cilët nuk janë të përkrahur nga populli.

Reagimi i plotë i Sinanit, pa ndërhyrje:

Të dashur miq dhe dashamirë që e doni me zemër e mendje Luginën dhe Preshevën.

Ju falenderoj shumë për përkrahjen e sotme.

Kjo mbështetje masive është dëshmi se ishim dhe jemi në anën e duhur.

Dy humbësit e zgjedhjeve para pak ditësh, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, kryen sot puçin e tyre nga lartë.

Nuk përfillen as Shqipërinë dhe Kosovën.

Populli nuk i deshi për deputet. U hakmorrën ndaj meje. Me gishta në Kuvend, pa vota të qytetarëve.

Eliminuan politikisht Shaip Kamberin nga parlamenti dhe më rrëzuan mua nga Kryetarja e Komunës.

Realizuan skenarin. Karriget i morrën, por eliminuan veten nga populli.

Sikurse pushteti i tyre në Preshevë, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, janë tashmë në anën e kundërt të popullit. Janë pakica ekstreme e tij. Siç u pa edhe sot, kur shumica dërmuese e përfaqësuesve politikë të Luginës ishin te Kryeministri i Kosovës, ndërsa ata dy të vetmuar dhe të izoluar, në errësirën e “bunkerit” të tyre puçist, në periferitë e Preshevës. Nga aty kaluan padinjiteshëm në administratën komunale.

Ky pushtet i ri në Preshevë është produkt i degradimit të politikës shqiptare në Luginë.

Është pushtet i grabitur ditën nga marrëveshjet e fshehta të natës.

Presheva ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja për ta ndërtuar një qeverisje legjitime nga vota e popullit dhe jo nga pazaret e individëve vendorë dhe rajonal.

Puçistët nga lartë e kanë tashmë makth të përditshëm përballjen me popullin, prandaj edhe do ta bëjnë të pamundurën me shty deri në ditën e fundit ballafaqimin me kutitë e votimit.

Vazhdojmë bashkë.

Mobilizohemi, organizohemi dhe angazhohemi.

Ju të gjithë, që nuk pajtoheni sot me politikën puçiste të Shqiprim Arifit dhe Sami Salihut, ju ftoj të na bashkoheni, për t’iu bërë me dije nesër se Presheva dhe Lugina janë të preshevarëve dhe luginasve, e jo të individëve të papërkrahur nga populli.

Shumica jemi për një Luginë dhe Preshevë me politikë të përgjegjshme vendore, me unitet të brendshëm dhe në bashkërendim me Shqipërinë dhe Kosovën.

Prandaj ne bashkërisht do të fitojmë dhe ata dy do të humbin. /Demokracia.com/

Të ngjashme