Lajme
Anulimi i vendimeve alarmon Qeverinë Kurti, tenton t’ia heq kompetencat Këshillit për Shërbyesit Civil
Demokracia
17:27 | 15 Korrik 2022

Share:

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Qeverisë së Albin Kurtit për emërimin e Hekuran Nikçit si Kryeinspektor të Punës dhe konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Këto mbase mund të jenë vendimet e fundit për pozita të larta të këtij këshilli për shërbyesit civil, pasi që Albin Kurti po synon që t’ia marrë kompetencat vendimmarrëse, raporton Demokracia.com.

DOKUMENT| Qeveria Kurti po e shkelë Kushtetutën për ta kapur shtetin, provon t’i lë pa mbrojtje shërbyesit civil

Që ta ketë më të lehtë punësimin e militantëve partiakë, Albin Kurti po tenton t’ia marrë kompetencat edhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Krejt kjo po tentohet të bëhet përmes një Projektligji për ndryshimin e Ligjit për KPMSHCK-në, të cilin dje e ka hedhur në debat publik, përkundër që përmbajtja e tij bie ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nëpërmjet këtij projektligji, Qeveria po synon që Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil t’ia marrë edhe kompetencën për të vendosur kundër vendimeve të saj për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese, raporton Demokracia.com.

“Pavarësisht paragrafit 1 nënpragrafit 1.1 të këtij ligji, KPMSHK nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hap konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative”, thuhet në nenin e gjashtë të këtij projektligji të ri.

Vendimet e fundit të KPMSHCK-së që e bënë fajtore Qeverinë e Kurtit duket se po e përshpejtojnë nevojën e tyre që ky këshill të mbetet pa kompetenca të rëndësishme, shkruan Demokracia.com.

Ky i fundit ia ka shpallur të kundërligjshëm Qeverisë Kurti edhe vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës dhe konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Nikçi ishte emëruar më 25 maj në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Por, nuk kaluan as dy muaj dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës vlerësoi se emërimi i Nikçit në këtë pozitë ka qenë i kundërligjshëm.

Po ashtu, ky institucion ka konstatuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshme që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në raportin e bërë publik në faqen e KPMShCK-së thuhet se Këshilli ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes se Kryeinspektorit të Punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Sipas Këshillit, Qeveria ka rënë ndesh me dispozitat e këtij ligji.

Rekomandimi i Këshillit obligon Qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.

Edhe në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMShCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.

Sipas raportit të Këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të Ligjit për Zyrtarët Publik.

Në këtë konkurs, i cili ishte shpallur në muajin prill kishin aplikuar 13 kandidatë.

Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës përmes një procesi të dyshimtë. /Demokracia.com/

Të ngjashme