Lajme
DOKUMENT| Qeveria Kurti po e shkelë Kushtetutën për ta kapur shtetin, provon t’i lë pa mbrojtje shërbyesit civil
Demokracia
10:12 | 15 Korrik 2022

Share:

Albin Kurti dhe partia e tij po synojnë të kapin sa më shumë që munden institucione për të cilat me vite të tëra kishin moralizuar.

Prej ardhjes në pushtet, Qeveria e Albin Kurtit është marrë me shkarkime masive të atyre që ishin targetuar si njerëz të afërt me ish-partitë e pushteteve të kaluara dhe me emërime e punësime masive të militantëve të vet nëpër institucione, shkruan Demokracia.com.

E që të mos u dalë punë me ligjin, ata po tentojnë që t’ia hapin rrugën vetes edhe për shkarkime të tjera, pa pasur shumë kundërshtime.

Albin Kurti po tenton që t’ia marrë kompetencat edhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Krejt kjo po tentohet të bëhet përmes një Projektligji për ndryshimin e Ligjit për KPMSHCK-në, të cilin dje e ka hedhur në debat publik, duke shkelur kështu edhe Kushtetutën e Kosovës, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Nëpërmjet këtij projektligji, Qeveria po synon që Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil t’ia marrë edhe kompetencën për të vendosur kundër vendimeve të saj për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese, raporton Demokracia.com.

“Pavarësisht paragrafit 1 nënpragrafit 1.1 të këtij ligji, KPMSHK nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hap konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative”, thuhet në nenin e gjashtë të këtij projektligji të ri.

Demokracia.com e ka siguruar edhe shkresën me komentet që KSHMPCK ia ka dërguar Zyrës së Kryeministrit.

“Më lejoni që t’iu njoftojmë se me datën 27.06.2022 kemi përcjellë komentet lidhur me draftin fillestar të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të përgatitur nga Zyra Ligjore pranë Zyrës së Kryeministrit. Ashtu siç ju jemi njoftuar përmes shkresës me numër protokolli 3726/2022 të datës 27.06.2022, në vlerësimin tonë, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i dërguar me datë 08.06.2022, përkatësisht amendamentet e propozuara si në projektligj cenojnë rëndë dispozitat kushtetuese, gjegjësisht nenin 101 të Kushtetutës dhe si të tilla janë në kundërshtim edhe me Aktgjykimin në rastin nr.171/18 të datës 20 maj 2019, dhe Aktgjykimin në rastin nr.KO127/21 të datës 21 dhjetor 2021 të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen që KPSHMCK-së, që ia ka dërguar Zyrës së Kryeministrit, raporton Demokracia.com.

Në arsyetimin e KPMSHCK thuhet se në pajtim me nenin 101 të Kushtetutës dhe në kuptim të kësaj dispozite ligjore, Këshilli ka mandat për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave dhe parimeve të shërbimit civil në raport me të gjitha kategoritë e të punësuarve në shërbimin civil, duke filluar nga zyrtari profesional deri në pozitën e sekretarit të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e KPMSHCK-së.

 

Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se vendimi i Kuvendit për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ishte në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës.

Gjykata konstatoi se vendimi i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, andaj i njëjti u shfuqizua.

Kushtetuesja kishte vendosur masën e përkohshme deri më 15 dhjetor të vitit 2021 ndaj vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kështu përmes masës së përkohshme ishte pezulluar vendimi i kontestuar dhe Kuvendi në ato rrethana duhej të përmbahej nga çdo veprim lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të rinj deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Gjykata gjeti se Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të bëjë mbikëqyrjen e KPMShCK, por se këta anëtarë nuk mund të shkarkohen për shkak të vendimmarrjes, meqenëse kanë pavarësi kushtetuese e ligjore dhe imunitet nga shkarkimi.

“Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të mbikëqyrë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të tij në rastet e përcaktuara në Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; por se (ii) anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të shkarkohen vetëm për shkak të “vendimmarrjes” së tyre sepse përkitazi me të njëjtën kanë pavarësi kushtetuese dhe ligjore, si dhe imunitet nga shkarkimi, siç është përcaktuar në vetë ligjin që ka miratuar Kuvendi”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se anëtarët e këtij këshilli gëzojnë pavarësi dhe imunitet nga shkarkimi. Madje, vendimmarrja e tyre me tepër i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ.

“Ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së mbikëqyrjes së punës së institucioneve publike, të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, në cenim të garancive përkitazi me pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në ushtrimin e funksionit të tij, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me 62 vota për 3 vota kundër, 11 abstenime, Kuvendi i pati shkarkuar pesë anëtarët e KPMShCK-së: Eshref Shabani, Malsore Gashi – Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehmeti dhe Ardita Haxhinikaj – Demi./Demokracia.com/

Të ngjashme