Lajme
Anija e BE-së shkatërron dronin e rebelëve Houthi në Detin e Kuq
Demokracia
19:08 | 25 Prill 2024

Share:

Një dron i nisur nga një zonë në Jemenin e kontrolluar nga Houthit është kapur nga misioni i BE-së në Detin e Kuq, ka njoftuar një oficer i lartë ushtarak.

Bëhet e ditur se pajisja ajrore pa pilot është rrëzuar nga një anije që është pjesë e misionit të BE-së për të mbrojtur transportin tregtar në Lindjen e Mesme.

“Detyra që i është dhënë anijes është thjesht të mbrojë anijet e tjera tregtare dhe t’i tregojë njerëzve se BE-ja nuk është e gatshme ta lejojë një organizatë terroriste të ndërpresë lëvizjen e lirë në det”, tha gjenerali austriak Robert Brieger.

Gjithashtu, gjenerali tha se ai po kërkon nga vendet anëtare të BE-së që të sigurojnë burimet e nevojshme për misionin Aspides, shkruan euronews. 

Edhe komandanti i misionit detar të BE-së në Detin e Kuq, kundëradmirali grek Vasilios Gryparis, tha se dëshiron të rrisë ndjeshëm praninë në det për t’u mbrojtur më shumë nga sulmet e mundshme të rebelëve Houthi.

Ndryshe, 19 nga 27 vendet anëtare të BE-së janë të përfshira në këtë mision, por vetëm katër anije po patrullojnë zonën.

Ky mision ka për qëllim mbrojtjen e anijeve civile dhe nuk merr pjesë në asnjë sulm ushtarak.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani e kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit dhe vazhdimisht sulmojnë me dronë dhe raketa anijet në Detin e Kuq.

Houthit i kanë përshkruar sulmet e tyre si një përpjekje për të bërë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Të ngjashme