Lajme
Anëtari i dorëhequr i VV-së: Është një grup në Prishtinë që po eliminon kandidatë nga gara
Demokracia
18:33 | 12 Shtator 2022

Share:

Anëtari i dorëhequr i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlzen Bislimi, thotë se ai u eliminua nga zyra qendrore e partisë, pasi shpalli kandidaturën për kryetar të degës së partisë në Lipjan. Ai beson se iu përgatit terreni deputetit Adnan Rrustemi dhe se për kandidatët “është një grup” në qendër, që po vendos.

Zgjedhjet e brendshme të LV-së po përcillen me disa pakënaqësi dhe akuza ndaj qendrës. Dega e VV-së në Lipjan është përballur me disa dorëheqje, duke nisur nga Shkelzen Bislimi, që kishte dorëzuar kandidaturën për kryetar dege.

“Besimi ka fillu me u thy prej kur i kemi fitu zgjedhjet nacionale”, thotë anëtari i LV-së qe dha dorëheqje nga partia.

Bislimi në “Frontal” të T7 ka dhënë versionin e tij rreth mohimit të kandidaturës së tij, e cila thotë se iu bë “padrejtësi”.

“Unë shfaqa ambicien për me qenë një prej kandidatëve për kryetar të Qendrës. Pas një fazë të gjatë, më lajmërojnë se ti nuk do të jesh kandidat për kryetar të qendrës”, ka thënë Bislimi.

Ai thotë se ka pasur një fjali arsyetimi për mohimin e kandidaturës së tij, të cilën thotë se e kanë thirrur ta lexojë në zyrë të VV-së e të mos ta bëjë kopje.

“Më ftuan në zyrën e Lëvizjes në Lipjan. Më thanë se duhet të vish për ta lexuar arsyetimin, por jo me pasë kopje, jo me e fotografu dhe jo me e dërgu në email”.

“Prej kandidaturës sime janë frikësuar se po ia rrezikoj garën kundërkandidatit. Është Adnan Rrustemi dhe tash ka mbet vetëm ai kandidat”, thotë Bislimi.

“Është një grupacion aty që bën dallime, bën dasi. Përderisa po e favorizojnë një kandidat. Ai është edhe deputet, e ka një përparësi. Ndoshta edhe frikësohen se po largohet”, shton ai.

Ai thotë se, përveç tij, i është bërë “padrejtësi” edhe 19 anëtarëve të tjerë që kishin paraqitur kandidaturat”.

VV-së i shpërthen edhe në Mitrovicë, anëtari i saj me akuza se u eliminua për shkak të Armend Mujës

 

Të ngjashme