Lajme
Analistët: Një fitore e Le Penit do ta vendoste BE-në në një “krizë ekzistenciale”
Demokracia
20:52 | 19 Prill 2022

Share:

Balotazhi i zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit në Francë po ndiqet me vëmendje nga shumë vëzhgues politikë. Disa vlerësojnë se kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen nuk ka qenë kurrë më pranë fitores. Analistët paralajmërojnë megjithatë se një fitore e Marine Le Penit do ta vendoste BE-në në një ‘krizë ekzistenciale’ dhe do të ndalonte integrimin e mëtejshëm në BE.

Sophie Pornschlegel, analiste në Qendrën e Politikave Evropiane, thotë se një fitore e Macronit “pro-evropian” ndaj Le Penit, një politikane “jashtëzakonisht nacionaliste” do të mirëpritej nga zyrtarët e BE-së, të cilët tashmë duhet të përballen me një sërë krizash.

“BE-ja aktualisht ka ngarkesa në agjendë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, për krizën e sundimit të ligjit, për agjendën klimatike dhe ne kemi zgjedhjet evropiane që vijnë në 2024-ën. Pra, janë dy vjet gjatë të cilave duhet të ecim vërtet përpara, dhe mendoj se me Marine Le Pen në Pallatin Elysee kjo mund të jetë shumë më e vështirë sesa me Macronin”, thotë ajo.

Pornschlegel kujton se Le Peni ka një histori të gjatë të mbështetjes së një agjende anti-evropiane dhe se fitorja e saj do të ndalonte integrimin e mëtejshëm në BE.

“Ajo ka thënë se ishte për Frexit, daljen e Francës nga Bashkimi Evropian në vitin 2012. Në vitin 2017 ajo tha se Franca duhej të largohej nga eurozona dhe tani nuk po e thotë më këtë, por parimet bazë të politikave së saj nuk kanë ndryshuar, kështu që ajo do ta vendoste BE-në në një krizë ekzistenciale, pasi do të ishte kundër çdo lloj politike të BE-së dhe çdo lloj përparimi që mund të bëjmë në Bruksel”, thotë analistja franko-gjerman.

Analisti politik Bruno Cautres thotë se vendimi i kandidatit të ekstremit të djathtë Eric Zemmour, i cili bëri emër me komentet nxitëse kundër emigrantëve, për të kandiduar në zgjedhje, luajti rol në strategjinë e Le Penit për t’u dukur më e arsyeshme përpara elektoratit francez.

“Diçka mjaft e papritur ndodhi gjatë fushatës. Radikalizmi i Eric Zemmourit në fakt e ka zbutur imazhin e Marine Le Penit. Ajo është më pak radikale, do të thosha, për shumë votues, ajo duket më pak agresive se Eric Zemmouri dhe a fituar më shumë respekt”.

Analistja Pornschlegel thotë se të kesh një “President francez mashtrues” në pallatin Elysee do t’i jepte gjithashtu një ndalesë të përkohshme aleancës franko-gjermane në Këshillin Evropian, institucioni i BE-së që përcakton vizionin strategjik të bllokut.

“Është mjaft e vështirë të thuhet se çfarë saktësisht do të bënte Marine Le Pen në politikën e BE-së. Gjithçka që dimë për momentin është se ajo është qartësisht anti-evropiane dhe nuk dëshiron të ketë më shumë politikë të BE-së,” shton analistja.

Të dy kandidatët përballen me sfidën e sigurimit të mbështetjes së votuesve me prirje të majtë pas eliminimit të kandidatëve të tyre në raundin e parë.

“Marine Le Peni tani është në pozitë të mirë dhe nuk shoh asgjë që mund ta ndalë, vetëm nëse Macroni arrin të tërheqë bazën e tij dhe të sigurojë mbështetjen e votuesve të tjerë”, thotë analisti Philippe Moreau-Chevrolet me kompaninë MCBG të konsulencës.

Vetëm disa ditë përpara votimit përfundimtar në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, Le Pen nuk ka qenë kurrë më pranë presidencës, por rritja e saj spektakolare në sondazhet e opinionit, u duk se ka ngecur disi pas raundit të parë ndërsa Macroni intensifikoi fushatën e tij.

Sondazhet kryesore ende tregojnë Macronin si fituesin e mundshëm, megjithëse me një diferencë të vogël./ Voa

Të ngjashme