Lajme
Ana e errët e luftës në Ukrainë| Djali në radhët e forcave ukrainase, babai ushtar i Putinit
Demokracia
22:26 | 14 Tetor 2022

Share:

Në orët e para të 24 shkurtit, kur raketat ruse filluan të binin mbi Ukrainën në sulmin më të madh ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, Artur, si miliona ukrainas të tjerë, u përpoq të kontaktonte familjen.

Megjithatë, ndërsa shumica e bashkatdhetarëve të tij kishin frikë për jetën e prindërve të tyre, Artur kishte një mesazh tjetër për babanë, Oleg, një kolonel në forcat separatiste pro-ruse në lindje të vendit.

“Je bastardë”, shkruan ai në një mesazh drejtuar babait të tij, raporton theguardian.

“Mos e merrni armën. Kievi do të bjerë së shpejti”, iu përgjigj Oleg pas ca kohësh.

Artur nuk iu bind babait të tij, por shpejt doli vullnetar në ushtri dhe mori pjesë në mbrojtjen e suksesshme të Kievit, e cila përfundoi me tërheqjen e forcave ruse nga rajoni në muajin prill.

Ai së shpejti iu bashkua ushtrisë së rregullt ukrainase dhe së fundmi mori pjesë në kundërofensiva në veri dhe lindje të vendit. Artur ishte mes ushtarëve që hynë në Izyum dhe Lyman, dy qytete strategjikisht kyçe të çliruara muajin e kaluar nga Ukraina.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai ishte në kontakt me babanë e tij në Donetsk, një rajon nën pushtimin rus. Ai korrespondonte me të përmes mesazheve.

“Ne jemi fjalë për fjalë në anët e kundërta të fushës së betejës. Por vetëm njëri prej nesh po lufton për atë që është e drejtë”, tha Artur në një video-telefonatë nga një zonë në Ukrainën perëndimore ku po rikuperohet pas disa muajsh luftimesh rraskapitëse.

Pushtimi rus i Ukrainës shkatërroi mijëra familje. Për shkak të historisë së ndërthurur dhe të ndërlikuar të dyja vendeve, shumë ukrainas kanë të afërm në anën tjetër të kufirit. Jo shumë kohë pas fillimit të pushtimit, u shfaqën raporte se disa të afërm rusë të qytetarëve ukrainas refuzuan të besonin se ushtria e presidenti rus, Vladimir Putin po bombardonte civilët në qytete në të gjithë vendin.

Megjithatë, pak histori ilustrojnë ndarjet familjare aq dramatike sa ato të Arturit. Ai është ushtari i parë ukrainas, babai i të cilit dihet se lufton në anën ruse.

Artur lindi në një familje ushtarake në Boryspil, një qytet afër Kievit. Babai i tij është nga rajoni lindor i Donetskut dhe ka shërbyer dhjetë vjet në ushtrinë ukrainase, deri në vitin 2011.

Pasi u shkurorëzua me nënën e tij atë vit, Oleg u transferua në Rusi në kërkim të punës, thotë Artur. Ai nuk kishte para dhe iu bashkua forcave separatiste pro-ruse në Donetsk në vitin 2016, dy vjet pasi Moska aneksoi Krimenë dhe Putin filloi të dërgonte trupa për të mbështetur separatistët në lindje.

“Isha i tronditur kur më tha se ishte bashkuar me njësitë në Donetsk”, kujton Artur dhe shton, “Për mua, si shumë ukrainas, kjo luftë filloi në vitin 2014 dhe kjo nënkuptonte bashkimin me armikun”.

Artur tregon se si vuri re që babai i tij po fillonte dalëngadalë të besonte në argumentet pro-ruse edhe para se të bashkohej me separatistët.

“Propaganda ruse e bëri për vete dalëngadalë. Mendova se nuk do të binte nën ato ndikime, se ishte më i zgjuar se kaq. E kisha gabim”, thotë Artur.

Të dy mbetën në kontakt gjithsesi kur Arturi, me profesion inxhinier, vendosi të provonte dorën e tij në një karrierë filmi në Kiev. Por ndërsa tensionet u rritën mes Rusisë dhe Ukrainës, u rritën edhe marrëdhëniet mes babait dhe djalit, transmeton Telegrafi.

Në fillim të muajit mars, pasi shumica e forcave ruse u dëbuan nga afërsia e Kievit, Artur i dërgoi babait të tij një video-mesazh të shkurtër duke u tallur paralajmërimin e mëparshëm të Olegut për rënien e qytetit.

“Unë eci përreth dhe nuk shoh asnjë rus të vetëm. Ata duket se janë zhdukur. A thua ku janë?”, dëgjohet duke i thënë ai të atit.

Oleg iu përgjigj se së shpejti fati do të kthehej në anën rusëve, duke iu lutur edhe një herë djalit të linte armën.

“Tashmë atëherë pashë se shpresat e tij për një fitore ruse po zhdukeshin. Ai u bë gjithnjë e më i dëshpëruar ndërsa ukrainasit pushtuan territore të reja”, thotë djaloshi.

Ata u dëgjuan sërish pasi u publikuan prova se rusët po vrisnin civilë në qytetin e Buchas. Oleg tha se raportet ishin “të rreme”, duke i bërë jehonë pretendimeve të mediave shtetërore ruse se fotografitë e civilëve të vdekur në qytet ishin inskenuar dhe se civilët po vriteshin nga vetë ukrainasit.

“I thashë që isha vetë aty dhe se çdo gjë e pashë me sytë e mi”, thotë Arturi. “E kuptova që nuk kishte kuptim. Unë ndalova së munduari ta bindja për ndonjë gjë. Është një humbje e pastër kohe”.

Një nga herët e fundit që ata kontaktuan ishte kur njësia e Arturit ndihmoi në çlirimin e Izyumit në fillimin e një kundërofensive të shpejtë të Ukrainës në verilindje të vendit.

“Kënaqu sa të mundesh”, i shkruan babai i tij.

“Ju jeni si zuzar nga filmat horror. Sa herë që e mposht të keqen, ajo premton të kthehet”, u përgjigj i biri.

Arturi hesht kur e pyesin se çfarë do të bënte nëse do ta takonte babanë e tij në front.

“Unë nuk mendoj se mund ta qëlloj atë, apo ai të më qëllojë mua. Kush mund të vrasë babanë e vet?” thotë ai dhe shton se, të paktën tani për tani, perspektivat për një gjë të tillë janë të vogla sepse babai i tij ndodhet në një bazë ushtarake në Donetsk.

Në një mesazh të fundit për Arturin, Oleg shkroi se “Ti je akoma djali im. Unë dua më të mirën për ju. Qofshi të lumtur dhe të shëndetshëm”.

“Unë mendoj se duhet të ketë disa pasoja për të rreth gjithë kësaj, një gjykim”, thotë Artur. “Do të doja që ai të shihte fitoren tonë dhe që e gjithë flluska e tij të shpërthejë”.

Pavarësisht gjithçkaje, Arturi thotë se përpiqet shumë që të mos e pushtojë urrejtjen dhe zemërimin e tij, “Babai im tradhtoi familjen tonë, tradhtoi vendin tonë. Por unë luftoj nga dashuria për atdheun”.

Historia e Arturit u tregua për herë të parë në fund të shtatorit nga Help Desk, një startup gazetarie ruse dhe bisedë mbështetëse për ata që janë prekur nga lufta. Ai thotë se vendosi të ndajë përvojën e tij sepse e kuptoi se shumë ukrainas luftojnë me probleme të ngjashme në familjet e tyre.

“Doja të dërgoja një mesazh se askush nuk është përgjegjës për vendimet e marra nga familjarët tuaj. Nuk je më pak patriot nëse babai yt është kriminel”, thotë Artur.

Njësia ushtarake e dinte për situatën në familjen e tij, shton Artur, por ata kurrë nuk e vunë në dyshim besnikërinë time, “Ata e dinë që unë jam 100 për qind i përkushtuar ndaj Ukrainës”.

Të ngjashme