Lajme
Ana e errët e Albin Kurtit | Nuk e festoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (Video & Dokumente)
Demokracia
09:05 | 17 Shkurt 2024

Share:

Janë me fat njerëzit e një kombi që jetojnë në kohën kur vendi i tyre shpallë pavarësinë nga një pushtim i gjatë.

Por, kështu nuk ishte për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që 17 shkurtit 2008 nuk i ishin gëzuar aspak, shkruan Demokracia.com.

Dy njerëz ishin vrarë nga policia rumune e UNMIK-ut në demonstratën e dhunshme të thirrur nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, më 10 shkurt 2007, pikërisht për të penguar ardhjen e shkurtit të vitit tjetër.

Përkundër përpjekjeve të mëdha të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalej “17 Shkurti”, kjo gjë fatmirësisht nuk kishte ndodhur. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli Pavarësinë dhe themelimin e shtetit: Republikën e Kosovës.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk iu gëzuan aktit më të madh që deri më tani njeh historia njerëzore: themelimin e shtetit.

Shkrimet e asaj kohe dhe intervistat në media të Albin Kurtit, tregojnë anën e errët të aktivitetit të tij politik. Madje, shtetin, himnin dhe flamurin e Kosovës e përbuzën deri në ditën kur erdhën në pushtet.

17 SHKURT 2008 – VETËVENDOSJA NUK FESTON

“Kosova shpall pavarësinë e saj – Vetëvendosje nuk feston”, është titulli i gazetës “Koha Ditore”, e cila asokohe më 17 shkurt 2008 kishte qëndruar në selinë e këtij subjekti politik, në lagjen Pejton, dhe kishte sjellur këtë reportazh që duket e pabesueshme se vjen nga kryeqyteti i Kosovës – Prishtina.

“Për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, dita e diel ka qenë ditë e zakonshme. Ata nuk kanë festuar, duke thënë se nuk kanë për çka të festojnë. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës nuk janë duke e ditur se çfarë po festojnë”, thuhet në këtë artikull të publikuar më 18 shkurt 2008.

Siç tregohet në këtë artikull, mosfestimi i shpalljes së pavarësisë, kishte zgjuar kurreshtjen e madhe të mediave ndërkombëtare.

“Ata në këtë ditë, punën më të madhe e kishin me gazetarë e sidomos ata ndërkombëtarë, të cilët ishin mjaft të interesuar të merrnin qëndrimin e kësaj lëvizjeje”, thuhet mes tjerash në shkrimin e asaj kohe.

14 SHKURT 2008 – ALBIN KURTI: KOSOVA NUK PO BËHET E PAVARUR

Betejën që e kishte filluar vite më përpara për të kundërshtuar negociatat për përcaktimin e statusit final politik të Kosovës, Kurti e kishte vazhduar edhe në ditët kur kishte arritur momenti historik. Këtë betejë, do ta vazhdonte edhe viteve pasuese.

Mes qindra qëndrimeve kundër Pavarësisë së Kosovës, që doli nga negociatat e Vjenës, është edhe ky qëndrim i Kurtit i datës 14 shkurt 2008, vetëm 3 ditë para arritjes së madhe historike e kombëtare për shqiptarët.

Në intervistën e tij për emisionin Rubikon të KTV-së, Albin Kurti, po frikësonte qytetarët e Kosovës me anë të deklaratave të tij se Kosova nuk po bëhet e pavarur.

Derisa institucionet e Kosovës dhe drejtuesit e atëhershëm të tyre po bënin përgatitjet finale për shpalljen e pavarësisë së vendit, Albin Kurti po tregonte hapur se kjo nuk ishte një ditë që qytetarët e Kosovës të festonin.

“Populli i Kosovës është duke e pritur pavarësinë, mirëpo unë mendoj që edhe pak ditë do ta kuptojmë që pavarësi është quajtur diçka që esencialiaht është varësi.” deklaronte ai vetëm tri ditë para shpalljes së saj”, deklaronte Kurti më 17 shkurt 2008.

VV: SHPALLJA E PAVARËSISË SI ZHVILLIM MBRAPA

Beteja e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Aktit të 17 shkurtit 2008, do të vazhdonte edhe kur Kosova çdo ditë po merrte njohje ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe të shteteve të fuqishme, si: SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Australi, Kanada e shumë të tjera.

Në arkivin e Vetëvendosjes, në shumicën e dokumenteve e deklaratave që ka nxjerrë në atë kohë janë kundër zhvillimeve rreth pavarësisë dhe shprehnin mosbesim në realitetin e ri.

Për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, shpallja e pavarësisë ishte një zhvillim mbrapa. / Demokracia.com /

Të ngjashme