Lajme
Ambasadorja ukrainase në SHBA: Rusia shtet terrorist, udhëhiqet nga një kriminel lufte
Demokracia
18:45 | 27 Mars 2022

Share:

Ambasadorja ukrainase në SHBA, Oksana Markarova, këtë të diel e ka sulmuar Rusinë për pushtimin e vendit të saj, duke thënë se është një shtet terrorist i udhëhequr nga një kriminel lufte.

Ajo ka thënë se ukrainasit po luftojnë ashpër për ta mbrojtur tokën e tyre, përcjell Demokracia.com.

Markarova, duke iu referuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale me vendndodhje në Holandë, ka thënë se Putin duhet të sillet aty në bankën e të akuzuarit për krimet në Ukrainë.

“Është e qartë për ne se Rusia është një shtet terrorist i udhëhequr nga një kriminel lufte dhe ne po punojmë ditë e natë dhe po luftojmë ashpër për të mbrojtur tokën tonë dhe për të mbrojtur demokracinë tonë. Dhe të gjithë duhet të sillen para drejtësisë. Pra, mendoj se do të jetë e vështirë të drejtosh një shtet nga Haga”, ka thënë Markarova për CNN.

Ambasadorja Markarova ka thënë se forcat ruse po vrasin civilë e fëmijë dhe po i shkatërrojnë spitalet, infrastrukturën civile dhe shtëpitë e banimit.

“Këto janë akte që përbëjnë krime lufte. Ndaj ne kemi paraqitur kërkesë-padi në të gjitha gjykatat ndërkombëtare. Presidenti rus Vladimir Putin, së bashku me çdo rus që është përgjegjës për akte të tilla, do të duhej të përfundonte në burg për këto krime lufte”, tha ajo. /Demokracia.com/

Të ngjashme