Intervista
Ambasadori gjerman: Pa zgjidhjen e çështjes së tabelave, energjisë e asociacionit, as Kosova e as Serbia s’do jenë në BE
Demokracia
19:35 | 10 Tetor 2022

Share:

Ambasadori gjerman ka kërkuar që çështjet mes Kosovës dhe Serbisë të adresohen sa më shpejtë që është e mundur, sidomos çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasiqë është pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, të cilat i ka nënshkruar Kosova.

Në këtë intervistë dhënë për Kosova.LIVE, ambasadori gjerman ka thënë që kemi nevojë për përparim urgjent dhe për këtë liderët politik të të dyja shteteve duhet të marrin vendime të vështira politike dhe të kenë vullnet për kompromise që kanë rezultate të qëndrueshme.

Sa i përket çështjes së liberlizimit të vizave, Rohde është treguar optimist se do të ketë një vendim pozitiv shumë shpejtë brenda vitit, pasiqë takimi teknik do të mbahet më 13 tetor dhe vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Ministrave nga fundi i këtij viti.

Ambasadori Rohde thekson se në Kosovë secili automjet i regjistruar, duhet të ketë tabela të Kosovës. Për të arritur këtë, duhet të kalojë një periudhë e mjaftueshme – mendoj më e gjatë se ajo që është ofruar aktualisht – për ata, të cilët duhet t’i regjistrojnë automjetet e tyre. Mungesa e përparimit deri tani është për keqardhje, sepse duke vepruar në këtë mënyrë, të dyja palët, veprojnë kundër interesave të veta, meqë të hezitosh të zbatosh atë për të cilën është arritur pajtim në Bruksel, sigurisht se nuk do ta sjellë asnjërën palë më afër BE-së.

A është ky momenti më i rëndësishmi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Gjermania i do të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE. Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se nevojitet një Bashkim Evropian i fortë dhe i unifikuar, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, për të ruajtur paqen, stabilitetin, lirinë dhe sigurinë në Evropë. Përparimi urgjent tani është tejet i nevojshëm për të arritur synimin tonë të përbashkët, që për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi sa më i shpejtë në familjen euro-atlantike. Kështu, njohja e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë parakusht i nevojshëm për të dyja shtetet për t’iu bashkuar BE-së, pasi është e paimagjinueshme që në Union të kemi dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën. Këtë e bëri shumë të qartë Kancelari Scholz gjatë vizitës së tij në Prishtinë në qershor të këtij viti.

A po e humb durimin bashkësia ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe Serbinë?

Siq kam thënë më herët, kemi nevojë për përparim urgjent. Për të arritur këtë, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përgatiten për të marrë vendime të vështira politike, si dhe të kenë vullnet për tu pajtuar për kompromise që sjellin rezultate të qëndrueshme dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve. Marrë parasysh këtë, dua sërish të theksoj mbështetjen tonë të plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak për lehtësim në gjetjen e zgjidhjeve të përhershme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Procesi i Berlinit është një tjetër shembull i zotimit të fuqishëm të Gjermanisë për përshpejtimin e procesit të afrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Kancelari Scholz është fuqishëm i përkushtuar në këtë: Ai i ka ftuar të gjithë 6 liderët e Ballkanit Perëndimor së bashku me partnerët e Procesit të Berlinit për të marrë pjesë në një samit më 3 nëntor në Berlin. Para samitit, Gjermania do të thëras tri takime të nivelit të lartë në nivel të ministrave të energjisë, punëve të brendshme dhe punëve të jashtme nga fundi i tetorit. Ne duam dhe po përpiqemi fuqishëm të arrijmë rezultate konkrete.

Meqenëse Gjermania është një mike e vërtetë e Kosovës, si e vlerëson, marrëveshja përfundimtare është afër apo larg?

Iu takon të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës t’i përgjigjen kësaj pyetje. Vlerësimi im është se nevojitet më shumë përkushtim nga të dyja palët për të përparuar, për shembull në çështjet ende të pazgjidhura, si tabelat, udhërrëfyesi i energjisë, apo themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Jo vetëm unë, por ne edhe si ambasadorë të QUINT-it jemi deklaruar rreth disa çështjeve. Prandaj për mua është e qartë se në Kosovë secili automjet i regjistruar, duhet të ketë tabela të Kosovës. Për të arritur këtë, duhet të kemi një periudhë të mjaftueshme kalimtare – mendoj më të gjatë se ajo që është ofruar aktualisht – për ata, të cilët duhet t’i regjistrojnë automjetet e tyre. Gjithashtu edhe çështja e asociacionit duhet të adresohet, sepse është pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, të cilat i ka nënshkruar Kosova. Mungesa e përparimit deri tani është për keqardhje, sepse duke vepruar në këtë mënyrë, të dyja palët, sipas këndvështrimit tim, veprojnë kundër interesave të veta, meqë të hezitosh të zbatosh atë për të cilën është arritur pajtim në Bruksel, sigurisht se nuk do ta sjellë asnjërën palë më afër BE-së.

Çfarë pritshmërishë reale keni nga kryeministri Kurti në këtë proces? Dhe si e vlerësoni që opozita në Kosovë, pothuajse pa dallim, i ka dhënë mbështetje qeverisë për dialogun?

Nuk më takon mua të artikuloj pritje nga shefat e qeverive të shteteve sovrane. Si mik i vërtetë i Kosovës unë shpresoj për të dyja palët që të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe të tregojnë fleksibilitetin e kërkuar në pozitat e tyre. Qytetarët e Kosovës presin përparim konkret për një sërë çështjesh.

Si e analizoni çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, a do të përfundojë këtë vit?

Jam shumë optimist se do të ketë një vendim pozitiv për këtë në Bruksel, shumë shpejtë. Presidenca Çeke e Këshillit e ka vendosur këtë çështje në agjendë për një takim teknik që mbahet më 13 tetor dhe vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Ministrave nga fundi i këtij viti. Zbatimi i atij vendimi mandej do të mund të përmbyllej në pranverë të vitit 2023.

Të ngjashme