Lajme
Ambasadori amerikan: Presim me padurim ditën kur Kosova të bëhet pjesë e OSBE-së, kjo mund të ndodhë
Demokracia
13:56 | 07 Maj 2022

Share:

Ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter, ka ndarë komente për raportin e përpiluar nga shefi i OSBE-së, Michael Denport, për Kosovën. Ai ka thënë se SHBA-ja pret me padurim ditën kur shteti i Kosovës të jetë pjesë anëtarë e OSBE-së.

Carpenter thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht punën e misionit dhe vlerësojnë bashkëpunimin e ngushtë për të mbështetur zhvillimin e Kosovës si një anëtare e sigurt, demokratike dhe gjithëpërfshirëse e komunitetit Evropian të kombeve.

Ai në një letër të shpërndarë nga ambasada amerikane, ia përmendi Denportit edhe çështjen e sulmeve kundër Policisë së Kosovës në veri, teksa ia bëri të qartë qëndrimin e SHBA-së për këtë.

“Ne përshëndesim angazhimin e vazhdueshëm të misionit përgjatë elementeve thelbësore të mandatit tuaj, duke përfshirë demokratizimin, sigurinë publike, si dhe të drejtat e njeriut dhe të komunitetit. Ne jemi dakord që ndërtimi i institucioneve është një prioritet i rëndësishëm. Kjo punë është edhe më e rëndësishme sot duke pasur parasysh luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila nënvizon nevojën për të mbrojtur vlerat mbi të cilat bazohet OSBE-ja dhe që Misioni kërkon të avancojë përmes mandatit dhe punës së tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadorit Carpenter.

Ai më tej tha se është për të ardhur keq që Kosova nuk është pjesë e OSBE-së.

“Prandaj, ne e mirëpresim këtë praktikë dhe inkurajojmë që ajo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Ne e presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë”, citohet më tej ambasadori amerikan.

Më tej, ai përmend edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Kosovë që u mbajtën pa ndihmën e OSBE-së, duke i cilësuar si “dëshmi të ringjalljes së demokracisë”.

“Zgjedhjet lokale në tetor dhe nëntor 2021 ishin një arritje e rëndësishme në atë që ishin cikli i parë, siç e vutë re, i plotë zgjedhor komunal i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, pa ndihmën e OSBE-së. Në mënyrë domethënëse, në këto zgjedhje fituan mandatin aktorë politik të panjohur më parë , një dëshmi e gjallërisë së demokracisë së Kosovës. Ne inkurajojmë prioritizimin e vazhdueshëm të përpjekjeve të ekipit tuaj për demokratizim, së bashku me qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore në qeverisjen vendore”, komenton ndër të tjera Carpenter.

Ai, më tej ka thënë se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqimisht punën e misionit të OSBE-së në të mirë të zhvillimit të Kosovës.

Në fund Carpenter vlerëson mënyrën e raportimit periodik për Kosovën përmes OSBE-së.

Të ngjashme