Lajme
Ambasadori Abott: Djegia e veturave të serbëve me targa RKS në veri, është veprim kriminal
Demokracia
16:51 | 02 Nëntor 2022

Share:

Të mërkurën është djegur edhe një veture me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.

Ndaj kësaj ka reaguar ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se veprime të tilla janë kriminale.

“Zjarrvënia ndaj pasurisë së individëve që kanë regjistruar veturat e tyre në targa RKS është vepër kriminale dhe mënyrë e gabuar për të treguar pakënaqësi ndaj politikës legjitime të qeverisë”, ka thënë Abott.

Rasti i ri i djegies së veturës të serbit në veri vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Të ngjashme