Lajme
Ambasadorët e BE-së mblidhen pas samitit ku mungoi Kurti: Përcaktohet fati i Kosovës dhe Serbisë në pakon 6 miliardëshe
Demokracia
16:56 | 06 Mars 2024

Share:

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për mandatin e negociatave të Këshillit Evropian mbi Lehtësimin e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo është pjesa qendrore e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 2 miliardë euro grante dhe katër miliardë euro kredi për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Çka thuhet për Kosovën dhe Serbinë?

Pak ditë pas mbajtjes së Samitit të përbashkët të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku fokus ishte pikërisht kjo çështje, janë mbledhur ambasadorët e vendeve të BE-së.

Siç thuhet në dokumentin zyrtar të publikuar, një nga ndryshimet kryesore pas mbledhjes ka të bëjë me miratimin dhe ndryshimin e Agjendave të Reformës, monitorimin e përmbushjes së parakushteve për mbështetjen e BE-së dhe vlerëimin e përmbushjes së pagesës.

Parakushtet

Kur jemi te parakushtet, të tilla ka për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Kosova dhe Serbia e kanë një të veçantë që lidhet pikërisht me dialogun mes dy shteteve.

Në kapitullin e parë të rregullores, përmendet që Kosova dhe Serbia janë të obliguara për t’iu përkushtuar normalizimit të marrëdhënieve dhe për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

“Një parakusht tjetër, duhet të jetë që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, me një pikpamje në implementimin e plotë të obligimeve të tyre respective që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt Normalizimit dhe aneksin e Zbatimit, po ashtu, edhe të gjitha Marrëveshjet e tjera të dialogut, si dhe të përkushtohen në negociatat në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.” – thuhet aty.

Samiti i Tiranës dhe kritikat për Kurtin

Pikërisht gjatë javës së kaluar, në kryeqytetin shqiptar u mbajt një samit mes BE-së e Ballkanit Perëndimor ku u fol për këtë çështje.

Kryeministri Albin Kurti nuk ishte i pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme, pasi siç tha shefi i Qeverisë Shqiptare, Edi Rama, ndodhej “diku në Britani të Madhe”.

Ai mori pjesë virtualisht aty, derisa mospjesëmarrjen e tij fizike e arsyetoi si vijon:

“Përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar dhe për këtë arsye e kisha të pamundur të merrja pjesë në takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6), në Tiranë. Megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë me titull “Plani i Rritjes dhe Konvergjenca”, isha pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi”.

Kurti u kritikua shumë për “shëtitjen” e tij në Britani të Madhe. Një pjesë e opinionit publik e kritikoi për nga rëndësia që kishte samiti dhe për nga ai që mund të përfitojë shteti ynë, derisa një tjetër, për “mesazhin politik” që i përçoi kryeministri Rama, duke mos shkruar.

Kur jemi të ky i fundit, arsyetimi që e dha për Kurtin dhe mungesën e tij, u duk edhe pak si thumb.

“Më lini t’ju them që për arsye objektive, kryeministri i Kosovës nuk mundi të merrte pjesë për shkak të një takimi dypalësh diku në Britaninë e Madhe.” – kishte thënë ai.

Çka thotë Plani

Sqaruar shkurt, plani thotë se “kush i kryen reformat e parapara, i merr fondet. Ata që nuk punojnë, mbeten prapa”

Për më shumë, asnjë vend nuk do të mund ta bllokojë tjetrin në këtë proces. Madje, nëse vërehen përpjekje, ato mund të ndëshkohen.

Të ngjashme