Lajme
Ambasada amerikane dënon sulmet ndaj gazetarëve në veri
Demokracia
17:56 | 26 Dhjetor 2022

Share:

Ambasada amerikane në Prishtinë i është bashkuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në dënimin e një serie të sulmeve ndaj gazetarëve së fundmi në veriun e Kosovës.

Ambasada dënon fuqishëm sulmin e sotëm ndaj ekipit të Klan Kosovës në Zubin Potok dhe të gjitha sulmet e tjera që u janë bërë gazetarëve gjatë këtij muaji.

“Shtetet e Bashkuara i bashkohen Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e dënuar fuqishëm sulmin e fundit nga një sër sulmesh ndaj gazetarëve kosovarë. Mediat duhet t’u lejohet të punojnë të lira nga kërcënimet për dhunë dhe frikësim. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është baza e demokracisë”, thuhet në reagimin e ambasadës, ku citohet ambasadori Jeff Hovenier.

AGK sot ka alarmuar për sulmet e njëpasnjëshme ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës, ku situata është tensionuar prej fillimit të dhjetorit.

Sot, Klan Kosova ka raportuar se një ekip i saj është sulmuar nga persona të maskuar në Zupç të Zubin Potokut. Gazetarja dhe shoferi kanë marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve që u janë shkaktuar nga sulmi me gurë në drejtim të veturës së tyre.

Të ngjashme