Lajme
Alibeaj për Demokracia.com: PD-ja do ta mbështes Rezolutën për dënimin e trillimeve të Dick Martyt
Demokracia
09:00 | 21 Korrik 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se kjo parti do ta mbështes sot votimin e projektrezolutës të propozuar nga partia Socialiste kundër raportit të Dick Martyt.

“Po, do ta mbështesim. Pa asnjë dyshim. Madje kam propozuar edhe një amendament, me të cilin saktësohet qartë dhe pa asnjë dyshim, dënimi i të gjithë mekanizmit të trilluar nga Dick Marty, sipas frymëzimit serb, që ka patur për qëllim zhvleftësimin dhe bërjen pis të luftës për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Alibeaj.

Sipas tij, PD-ja e ka mbajtur sistematikisht këtë qëndrim, madje rreth 10 vjet më parë, në Këshillin e Evropës, këtë qëndrim e ka mbajtur në një rezolutë të asaj kohe.

Qëndrimi ynë shkon përtej, më shumë se kaq, shton ai.

“Kam paraqitur edhe një amendament, me anë të të cilit synojmë që në këtë projektrezolutë të PS, të saktësohet edhe fakti tjetër akoma më i rëndësishëm – pra që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë. Kuvendi i Shqipërisë, duhet domosdoshmërisht të ketë qëndrim konstant, sipas të cilit të pohojë publikisht ekzistencën e gjenocidit serb në Kosovë. Të pohojë publikisht se kush është agresori e kush viktima. Vetëm kështu mbahet e gjallë historia e dhimbshme e shqiptarëve të Kosovës. Vetëm kështu Kuvendi i Shqipërisë përmbush detyrën Kushtetuese të tij për t’u kujdesur për shqiptarët kudo që janë”, thekson Alibeaj për Demokracia.com.

Alibeaj thotë se kanë kaluar 50 ditë që nga 27 maji, kur ai ka paraqitur në emër të PD-së, një projektrezolutë, me anë të së cilës Kuvendi i Shqipërisë dënon gjenocidin serb në Kosovë.

“Kjo projektrezolutë synon jo vetëm simbolizmin dhe qartësinë e historisë, por bazuar edhe në aktet ndërkombëtare, konsiderimi i masakrave serbe në Kosove është gjenocid i pastër, është edhe rruga ligjore dhe institucionale që i jep të drejtë Kosovës dhe viktimave të kërkojnë reparacion dhe një sërë të drejtash të tjera sipas të drejtës ndërkombëtare”, shton ai.

Alibeaj e akuzon PS-në për shkelje të rregullave të Kuvendit të Shqipërisë për pengimin e kësaj projektrezolute.

“Vërej me keqardhjen më të madhe, se nga ana e PS-së, në shkelje të rregullave të Kuvendit, kjo projektrezolutë po pengohet, po zvarritet, po bëhet gjithçka që të mos miratohet në Kuvend. Siç kam bërë në çdo seancë të përjavshme të Kuvendit, edhe sot do të këmbëngul që kjo projektrezolutë të kalojë, edhe pse është e qartë për mua, se PS nuk ka aspak dëshirë, madje eksponentë të saj refuzojnë haptazi të zbatojnë rregulloren e Kuvendit duke iu shmangur detyrimit të tyre për të mbajtur qëndrimin që propozon projektrezoluta. E di që PS-ja ka shumicën e numrave në Kuvend, por ajo projektrezolutë, në mos sot, në seancat e sesionit tjetër parlamentar do të jetë aty si detyrim ligjor, kushtetues dhe mbi të gjitha, moral dhe politik për t’u miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”, ka thënë në fund Alibeaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme