Lajme
Albulena, Besniku: Qeveria Kurti e nis vitin 2024 me sulme ndaj sistetmit të drejtësisë
Demokracia
22:34 | 03 Janar 2024

Share:

Jemi në vitin 2024, por pushteti nuk është që ka ndryshuar diskursin e tij. Qeveria Kurti po vazhdon me të njëjtin ritëm, duke i kritikuar ashpër institucionet e drejtësisë. Pra viti i ri, avazi i vjetër. Dy zyrtarë të Qeverisë Kurti, Besnik Bislimi dhe Albulena Haxhiu, zgjodhën ditën e tretë të 2024-tës për të nisur nga aty ku, në fakt, e përfunduan vitin 2023. Çka ndodhi?

E para që nisi kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, aspak befasishëm, ishte ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në një intervistë për “Kosovapress”-in, Haxhiu i “mëshoi” dy institucioneve të drejtësisë: Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Po vazhdon kjo nga viti në vit, unë besoj se kështu do të përfundoj edhe mandati im si ministre e Drejtësisë, për faktin se reformat që i kemi nisur si Ministri e Drejtësisë duket që për të njëjtat nuk ka mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me theks nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Kësisoj mendoj që të gjitha veprimet të cilat i kanë bërë në këtë drejtim, gjegjësisht komunikatat kundër Ministrisë së Drejtësisë apo kundër deklarimeve të mia apo çfarëdo tjetër që ka mundur të bëjë KGjK-ja dhe KPK-ja, kanë pasur për qëllim t’i pengojnë reformat që i kanë nisur Ministria e Drejtësisë.” – deklaroi fillimisht Haxhiut.

Tutje, e para e Ministrisë së Drejtësisë deklaroi se ka mungesë të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Madje, ajo e akuzoi KPK-në edhe për “pazare” me konkurse.

“Unë e kuptoj që ata mund të kenë qëndrimin e tyre në raport me çështjet, por unë besoj që shumë e rëndësishme që ata ta kuptojnë që problem ekziston. Pra problemi ku kemi mungesë të besimit të qytetarëve në institucione është evident. Problemi ku kemi sistem të drejtësisë që konsiderohet i pavarur vetëm në letër, po ashtu ekziston.” – deklaroi këtë të mërkure Haxhiu.

“Po e veçoj, në veçanti po flas për KPK-në, sepse është problem më i theksuar dhe është evident dhe pazaret duket sheshit, kur dihen emrat se kush do të jetë në krye të institucioneve ende as pa u shpallur konkursi. Dhe kështu ka ndodhur me konkursin e fundit” – ka shtuar ajo.

Por edhe më brutal në kritikën e tij ishte Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryenegociator i shtetit kosovar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Dyshi i Qeverisë Kurti e quajti Gjykatën Kushtetuese “produkt të një mjedisi të korruptuar”.

“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil” – deklaroi sot gjatë ditës Bislimi.

Në intervistën për “Radio Gorazdevac”, Bislimi vlerësoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e njohur për prodhimin e “dokumenteve/vendimeve kontraverze.

“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, ka thënë Bislimi.

Sjellim ndërmend që në javën e fundit të vitit 2023, zyrtarë të ndryshëm të pushtetit, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kishin kritikuar sistemin e drejtësisë, përfshirë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Të ngjashme