Lajme
Alarmi i auditorit | Ministria e Hajrulla Çekut nuk ka informata si janë shpenzuar mbi 3.5 milionë euro subvencione për organizatat sportive
Demokracia
21:57 | 17 Prill 2024

Share:

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Objektiv i këtij auditimi ka qenë të vlerësohet financimi i sportit nga ministria e Hajrulla Çekut dhe nga bizneset private përgjatë viteve 2020-2022, në mënyrë që të identifikohen dobësitë dhe fushat për përmirësim, që të garantohet transparenca, llogaridhënia dhe përdorimi i duhur i fondeve. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk ka arritur t’i mbajë përgjegjëse organizatat që i financon dhe ato që kanë përfituar vërtetime sponsorizimi nga bizneset private, shkruan Demokracia.com.

Janë mbi 3.5 milionë euro që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka subvencionuar organizatat sportive për vitet 2020-2022 për të cilat ajo nuk ka informata sesi janë shpenzuar dhe cilat kanë qenë rezultatet e arritura. Po ashtu, një pjesë e madhe e organizatave sportive nuk kanë raportuar sesi i kanë shpenzuar fondet publike dhe kanë përfituar në vazhdimësi. Bazuar në gjetjet e auditorit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka arritur t’i identifikojë dhe gjobisë kompanitë që janë liruar nga tatimi për sponsorizim, të cilat në fakt nuk i kanë dhënë fondet për sponsorizim. Nga mostrat e analizuara në ATK, auditori ka vërejtur se rreth 1,573,246 euro është dëmtuar buxheti i shtetit. Në këtë vlerë hyjnë 490,347 euro që janë liruar bizneset nga tatimi dhe këto fonde nuk janë transferuar në klube. Ndërsa, rreth 1,083,246 euro bizneset kanë sponsorizuar klubet pa u pajisur me vërtetim nga MKRS, raporton Demokracia.com.

Aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private nuk i arrijnë qëllimet dhe nuk realizohen siç duhet

Sipas auditorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të hartojë strategji për zhvillimin e sportit, duke rezultuar në mungesë të drejtimit në zhvillimin e sportit në Kosovë. Praktikat me të cilat vepron Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për subvencionimin dhe lejimin e sponsorizimeve të kompanive private për organizatat sportive, sipas ZKA-së, nuk ofrojnë qëllime të qarta për shfrytëzimin e fondeve. Për më tepër, ekziston një mungesë e dukshme e dëshmive që vërtetojnë se këto kontribute financiare në mënyrë efektive kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë.

“Nuk ka dëshmi që sigurojnë se fondet janë shpenzuar, pra nuk ka një sistem që verifikon se aktivitetet janë realizuar në terren ashtu siç ishin planifikuar. Po ashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka një strukturë të përcaktuar për të monitoruar zbatimin e aktiviteteve të sponsorizuara nga kompanitë private dhe si pasojë gjatë periudhës 2020-2022 nuk ka zhvilluar asnjë monitorim. Kjo mungesë e monitorimit ka lënë hapësira për dyshime në lidhje me përdorimin e efektshëm të burimeve publike dhe realizimin e synimeve të interesit publik”, thuhet në raportin e auditorit, përcjell Demokracia.com.

Fondet e sponsorizimit nuk kanë arritur qëllimet për ngritje të cilësisë së sportit në vend

Dihet se Kuvendi i Kosovës në vitin 2017 ka miratuar Ligjin për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Me këtë ligj, qeveria kishte qëllim sponsorizimin, realizimin, përkrahjen, promovimin dhe mbështetjen e veprimtarive dhe aktiviteteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Nëpërmjet këtij ligji do të realizohej interesi i përgjithshëm publik, siç është mbështetja e aktiviteteve të ndryshme në promovimin e kulturës, rinisë dhe sportit në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Po sipas këtij ligji, bizneset në vend mund të financojnë aktivitete sportive deri në masën 30% të tatimit në fitim dhe të përfitojnë zbritje nga pagesa e kësaj shume që duhet të jetë tatim në ATK.

Nga analiza e mostrave të sponsorizimit, ZKA ka gjetur se një pjesë e këtyre fondeve përdoret shpesh për qëllime të marketingut të kompanive të sponsorizuara, duke rrezikuar që fondet mos të përdoren për interesin publik. Po ashtu, sipas analizës së aplikimeve për vërtetime të sponsorizimit është vërejtur se arsyet e financimit të organizatave sportive nuk ishin të qarta e në disa raste ishte cekur se këto fonde do të përdoren për marketingun e kompanive sponsorizuese.

“Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë euro të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Organizatat sportive përveç financimit të rregullt me memorandume bazë për subvencionim përfitojnë edhe memorandume shtesë (aneks) për të cilat nuk kemi gjetur se kjo forme e financimit është e rregulluar me akte të brendshme administrative. Në disa raste shuma në aneks e tejkalon atë në memorandum bazë. Kjo mënyrë e financimit tregon për mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë në raportimin e shpenzimeve të organizatave sportive. Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka financuar organizatat sportive edhe pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore”, ka vërejtur auditori, raporton Demokracia.com.

Shpenzimi i fondeve të sponsorizimit për aktivitete josportive

Qëllimi i sponsorizimit është realizimi, përkrahja, promovimi dhe mbështetja e veprimtarive dhe aktiviteteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Analizimi i mostrave ka nxjerrë në pah praktika të sponsorizimit që kapin sfera të ndryshme përtej asaj të promovimit. Në dy raste të analizuara, kompanitë sponsorizuese në kontratë me përfituesin e sponsorizimit kanë kërkuar kompensime të cilat nuk konsiderohen interes publik, siç janë bileta të udhëtimit, vip bileta për stafin e kompanisë sponsorizuese, etj. Një rast konkret është marrëveshja me vlerë prej 350 mijë eurove, e cila është planifikuar të ndahet për një periudhë prej tre vitesh. Në këtë marrëveshje, organizata sportive është e obliguar të plotësojë disa kushte të veçanta si në vijim:

  • Ofrimi i biletave për çdo ndeshje vendore të Super Ligës të cilat kanë qenë bileta VIP dhe po ashtu 50 bileta të kategorisë së parë;
  • Ofrimi i biletave për secilën ndeshje në Ligën e Kombeve dhe për kualifikuesit e Kampionatit Evropian të luajtura në Kosovë gjegjësisht 5 bileta VIP dhe 20 bileta të kategorisë së parë;
  • Ofrimi i biletave dhe udhëtimit për secilën prej ndeshjeve të Ligës së Kombeve dhe ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian të luajtur jashtë vendit, minimum 4 bileta VIP.

Sipas auditorit, në vitin 2020, vetëm për bileta të ndeshjeve vendore, federata sportive ka shpenzuar një shumë prej 12,500 eurove për kompaninë sponsorizuese.

Në një rast tjetër, kompania sponsorizuese ka vendosur në kontratë me sponsorizuesin (klubin sportiv) të emërojë një person nga stafi i tyre si anëtar të bordit të organizatës sportive. Ky aspekt i marrëveshjes tregon se sponsorët kërkojnë jo vetëm promovim të kompanive të tyre, por edhe një nivel të caktuar të kontrollit dhe ndikimit në proceset vendimmarrëse të organizatës sportive.

Në dy raste, ZKA ka vërejtur se pronarët e klubeve janë edhe si pronarë të bizneseve që sponsorizojnë klubet e tyre përkatëse. Për më tepër, megjithëse klubet sportive kanë raportuar shpenzimet e fondeve të sponsorizimit tek MKRS, mungesa e qartësisë rreth transferimit të fondeve nga llogaria bankare e klubit sportiv në llogarinë bankare të biznesit apo personale të pronarit krijon dyshime në lidhje me trajtimin e këtyre fondeve.

”Kjo mënyrë e menaxhimit të fondeve, që buron nga donacionet ose sponsorisimet, mund të hedhë dyshime mbi praktikat financiare të organizatës. Nga forma e financimit të organizatave sportive shihet se financimi i sportit përmes sponsorizimit paraqet një formë jo të sigurt të aplikimit dhe përfitimit të këtyre fondeve nga organizata sportive. Kërkesa e sponsorëve që klubi të organizojë marketingun e kompanisë sponsorizuese, kërkesa për bileta për ndeshje për stafin e kompanisë sponsorizuese, bileta udhëtimi dhe akomodimi tregojnë se këto fonde të sponsorizimit (apo tatime të cilat do të duhej derdhur në buxhetin e shtetit) përdoren për qëllim dhe në interes të sponsorizueseve dhe jo për zhvillimin e sportit në vendin tonë. Po ashtu, mungesa e qartësisë në transferimin e fondeve nga llogaria bankare e klubit sportiv në llogarinë bankare të biznesit apo personale të pronarit, tregon për paqartësitë nëse këto transferime janë rimbursime legjitime ose nëse ato përfaqësojnë shpërdorim të fondeve të sponsorizimit për përdorim personal”, ka shkruar ZKA në raport.

Konfliktet e mundshme të interesit në procesin e vlerësimit të sponsorizimit

ZKA ka gjetur se MKRS ka të themeluar komisionin përkatës, i cili është përgjegjës për të gjithë ciklin nga aplikimi deri tek vlerësimi i raporteve të shpenzimeve të fondeve të sponsorizimit. Nga analiza e vendimeve të MKRS-së shihet se komisioni i njëjtë bënë pranimin e aplikacioneve për lëshim të vërtetimeve të sponsorizimit dhe po ashtu i njëjti është përgjegjës për raportimin e shpenzimit të këtyre fondeve nga organizatat sportive.

“Praktika që është duke e aplikuar MKRS ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi brenda komisionit përgjegjës për lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimit dhe vlerësimin e shpenzimeve të fondeve. Kur një komision i vetëm ngarkohet me të dyja funksionet, ekziston një rrezik i natyrshëm që procesit të vlerësimit t’i mungojë paanshmëria dhe integriteti i nevojshëm. Ky konflikt i mundshëm mund të rrezikojë besueshmërinë e procesit të vlerësimit dhe integritetin e rezultateve të raportuara. Për të adresuar këtë shqetësim, disa vende ose organizata miratojnë praktika që përfshijnë komisionet e veçanta për këto dy funksione thelbësore. Kjo ndarje shërben për të rritur përgjegjshmërinë, transparencën dhe besueshmërinë e përgjithshme të procesit të vlerësimit të sponsorizimit. Përkundër që Rregullorja e MKRS-së përcakton se i njëjti komision do të trajtojë lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimit dhe vlerësimet e shpenzimeve të fondeve, megjithatë miratimi i një qasjeje apo praktike më të mirë që përfshin ndarjen e këtyre detyrave mund të ndihmojë në zbutjen e konflikteve të mundshme të interesit dhe të përforcojë besueshmërinë e procesit të vlerësimit. Ndarja e detyrave të punës përputhet me standardet ndërkombëtare dhe promovon transparencën dhe llogaridhënien në menaxhimin e sponsorizimit”, thuhet në raportim e ZKA-së.

Sponsorizimi dhe lirimi i tatimit për kompanitë private ka rezultuar me shmangie tatimore

Nga 45 mostrat e testuara, auditori ka gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar tek klubet sportive si sponosorizim nga kompanitë private edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Sipas auditorit, për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit.

“Përveç kësaj, klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi një milion euro nga kompanitë private e për të cilat nuk kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Mungesa e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Administratës Tatimore të Kosovës ka bërë që mos të ketë kontroll të duhur për shumat e sakta që duhet tatuar dhe liruar nga tatimi. Gjetjet e auditimit tregojnë se çështjet që kanë të bëjnë me financimin e sportit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga bizneset private kërkojnë veprime të menjëhershme dhe për këtë janë dhënë 10 rekomandime. Lista e rekomandimeve është paraqitur në Kapitullin 5 të këtij raporti”, thuhet në raport. /Demokracia.com/

Të ngjashme