Lajme
Alarm për 2 eurot, qytetarët lihen të vetëm përballë falsifikatorëve dhe marketeve që nuk po ua marrin paratë
Demokracia
15:06 | 28 Nëntor 2023

Share:

Kartëmonedhat 2 euro, në fakt janë shumë të njohura dhe përdoren më së tepërmi. Në shumë pika karburanti dhe në shumë dyqane të shitjes me pakicë, më nuk po i pranojnë fare. Pikërisht me monedhat 2-euroshe janë shtuar falsifikimet. Dëmi i shkaktuar nuk dihet sa është, por Policia e Kosovës ka nisur ta kthejë në normalitet raportimin për këtë lloj të parave që po zihen të falsifikuara, shkruan Demokracis.com.

Nga tregu nuk po hiqen, por ato kanë filluar të mos pranohen nga biznese të ndryshme. Qytetarët janë lënë të vetëm në dorën e falsifikatorëve të parave. Alarmi është ngritur veçanërisht për monedhën 2 euro, pasi falsifikimi i tyre është rritur dukshëm në muajt e fundit.

Një market në Fushë Kosovë, sikundër në shumë vende të tjera, nuk po i pranon ato. “Shumica janë të falsifikuara. Është bërë zor të detektohen. As nuk i jap, as nuk i marrim, që disa ditë”, thotë një shitëse në një market në Fushë Kosovë.

Demokracia.com ka parë se një tjetër rrjet i marketeve kanë instaluar në afërsi të arkave të tyre disa aparate për detektimin edhe të parave të falsifikuara të metalta, pos atyre të letrës.

Mospranimi i parave të metalta nga ana e operatorëve është veprim i paligjshëm, pasi një veprim të tillë të ndalesës mund ta marrin vetëm institucionet e Kosovës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e ka një departament të veçantë për mbrojtjen e konsumatorëve. Por, ky institucion e ka hequr përgjegjësinë nga vetja për veprimet e operatorëve ekonomikë, të cilët po hezitojnë të pranojnë monedhat e metalit.

“Kjo nuk bie nën përgjegjësinë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por tek Banka Qendrore e Kosovës”, thanë nga zyra për komunikim e MINT-it për Demokracia.com.

Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, por ky institucion është treguar jotransparent, duke refuzuar të përgjigjet.

Javëve të fundit është rritur dukshëm raportimi për monedhën e falsifikuar prej 2 eurove, por Policia e Kosovës ka statistika veç për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

“Policia e Kosovës i trajton të gjitha rastet bazuar në procedurat e parapara ligjore, kështu, çdo herë kur ka informacion se po kryhet ose është kryer një rast që është i inkriminuar në bazë të Kodit Penal (KP), ndërmerr masat dhe e trajton atë bazuar në procedurat e parapara. Edhe raste e ‘Falsifikimit të parasë’, policia i trajton bazuar në atë që u tha më lartë. Në vijim do të gjeni të dhënat e përgjithshme të rasteve falsifikim i parasë: Gjatë vitit të kaluar (2022), policia ka iniciuar 804 raste të “Falsifikimit të parasë’, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti (2023) ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste të tilla”, ka njoftuar për Demokracia.com, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Aktivisti Selatin Kaçaniku, i cili ka qenë edhe themelues e i OJQ KONSUMATORI, thotë se institucionet po e stërzgjasin çështjen e moszgjidhjes së problemit të dy eurove të falsifikuara, nga të cilat po pëson konsumatori.

“Po e shoh si përgjumje dhe shkelje në inteligjencë të qytetarit konsumator taksapagues nga institucionet, mekanizmat, agjencionet… kompetente vendore dhe ato të BE-së, nëse mund të quhen kompetente. Kjo, ngase me mosveprimin, zvarritjen vite të gjatë me radhë, të zgjidhjes së problemit në rritje të shfaqjes së monedhave në apoenë prej 2 euro, ato po i kontribuojnë rritjes së kriminalitetit dhe varfërimit të mëtutjeshëm të qytetarit konsumator taksapagues. Inferioriteti, i cili po i bënë këto institucione, mekanizma, agjencione… jokompetente i ka detyruar disa biznese, por edhe qytetarë konsumatorë taksapagues që të (vetë)mbrohen, duke i injoruar këto monedha / apoenë në vlerë prej 2 euro. Në mungesë të reagimit / veprimit të shtetit, disa biznese dhe qytetarë konsumatorë taksapagues, si duket “e kanë marrë ligjin në dorë” dhe kanë filluar të fusin rend në tregun finansiar dhe t’ia ulin gjasat e përfitimit grupeve kriminale, të cilat, siç na detyrojnë të dyshojmë, e kanë edhe ndonjë përkrahje nga ndonjë zyrtar i pandërgjegjshëm nga këto“, tha Kaçaniku për Demokracia.com.

Sipas tij, edhe me këtë shembull po dëshmohet qartë sa shtrenjtë po i kushton qytetarëve, siç thotë ai, burokracia dhe ngathtësia e saj, e cila reagon vetëm kur t’i nevojitet politikës për ta politizuar problemin.

Megjithatë, para pak ditësh, Banka Qendrore e Kosovës, në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, janë takuar për intensifikimin e veprimeve institucionale për luftimin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë.

Alarmi është ngritur veçanërisht për monedhën 2 euro.

“Mbi bazën e këtyre diskutimeve, palët u dakorduan për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare. Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar”, thuhet në njoftimin e lëshuar ditë me parë.

Me theks të veçantë janë udhëzuar qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme (veçanërisht monedhën 2 euro) dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave.

Po ashtu, është rekomanduar që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme të cilat furnizohen nga ana e BQK-së, kurse mjetet e pranuara t`i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim.

Ish-zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Milazim Tahirukaj, ka thënë se Kosova është si treg i hapur për t’i vendosur në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara, kjo pasi nuk e ka monedhën e vet.

“Varësisht nga mënyra e falsifikimit të monedhave apo kartëmonedhave të identifikohet edhe burimi dhe origjina e tyre, deri tek ardhja e laboratorit klandestin, që të identifikohet a është në Kosovë, Maqedoni, apo në Bullgari. Kemi raste në rritje që vijnë nga shtetet e rajonit në Kosovë, duke marr parasysh se Kosova përdor monedhën dhe kartëmonedhën euro, ndërsa në shtetet e rajonit i kanë kartëmonedhat e veta, prandaj Kosova është si treg i hapur për t’i vendosur në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara”.

Edhe pse Kosova është e mbuluar me para false, Tahirukaj sheh se kjo gjendje mund të bëhet edhe më e madhe.

“Ka me ardhur një kohë ku kanë me e mbuluar tregun monedhat 2 euro dhe 1 euro të falsifikuara, e si pasojë e kësaj veç kanë filluar me ndalu shumë dyqane për në qarkullim monedhën prej 2 euro”.

Pos operatorëve privatë, mosshfrytëzimin e parave të metalta prej 2 eurove po e shqyrtojnë edhe kompanitë publike.

Demokracia.com ka mësuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, që në muajin shkurt të këtij viti kishte bërë deklarimin se “kompania kishte vendosur muaj më parë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 euroshe për pagesë nga klientët për shërbimet që kryen kjo kompani”.

Njësoj, pothuajse kishte vepruar edhe Kompania “Prishtina Parking”, sikundër pak a shumë njëjtë nisën të veprojnë edhe shumë konsumatorë, duke refuzuar të marrin kusurin në monedhën 2-euro nëpër furra, minimarkete, vetëshërbime e kështu me radhë, duke kërkuar që vlerën prej dy eurosh t’ua japin të ndarë nga një 1 euro.

Rasti i veprimit të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe të ndërmarrjes “Prishtina- Parking”, nga njohës të rrethanave monetare ishte vlerësuar eklatant dhe i pashembullt në praktikat e deritashme të transaksioneve të pagesave, jo vetëm në vendin tonë.

Monedhat false jo vetëm nëpër dyqane e duar të qytetarëve kanë qarkulluar e po qarkullojnë, por ato nuk po mund t’i identifikojnë as bankat që operojnë në Kosovë.

Rasti më i madh dhe më i freskët ka ndodhur të martën e 7 nëntorit 2023, kur zyrtari i një banke në Kosovë ka raportuar se në bankë janë deponuar nga një klient 251 monedha nga 2 euro, në vlerë të 502 eurove, që dyshohet se janë të falsifikuara.

Rr. Enver Maloku, Prishtinë 04.10-06.11.2023. Zyrtari i një banke, ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në bankë janë deponuar nga një klient 251 monedha nga 2€, në vlerë 502€, që dyshohet se janë të falsifikuara. Po ashtu në bankomatin e bankës nga një klient është deponuar një kartëmonedhë në vlerë 20€ që po ashtu dyshohet se është e falsifikuar. Paratë janë sekuestruar nga njësia e forenzikës. Rasti në hetime”, ka treguar Policia e Kosovës.

Po ashtu, Policia e Kosovës më datën 09.11.2023 ka njoftuar për dy raste “falsifikim i parasë” që ka ndodhur në Prishtinë dhe Pejë.

Ankuesja femër kosovare, zyrtare e një biznesi privat në Prishtinë, ka raportuar se një klient kishte deponuar monedha metalike të vlerave 1 dhe 2 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

Nga njësiti relevant policor janë sekuestruar monedhat e dyshuara për procedura hetimore për të cilin rast është njoftuar edhe prokurori.

Ndërkaq, në Pejë, ankuesi mashkull kosovar, punëtor i një banke private, ka raportuar se gjatë verifikimit të parave të deponuara në atë bankë nga klientë të ndryshëm ka hasur në disa kartmonedha që dyshohen të jenë të falsifikuara.

Vlen të përmendet se në laboratorin e mjekësisë ligjore të Policisë së Prishtinës, stafi ka ekzaminuar më shumë se 30,000 monedha të falsifikuara 2-euroshe në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me 4,451 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por, cila është mënyra më e mirë që edhe ju të mos bini pre e mashtrimit me 2 euro false?

Janë disa mundësi, por mënyra më e mirë është duke e krahasuar një monedhë origjinale me monedhat e tjera dhe më poshtë janë disa nga detajet dalluese.

Një monedhë 2 euro false ka:

Cilësi më të dobët dhe detaje ndryshe të dukjes;

Unaza/rrethi dhe qendra e monedhës janë me ngjyra të ndryshme nga origjinali;

Mungojnë shkronjat në skaje të unazës;

Kanë drejtshkrim të gabuar ose font ndryshe;

Janë në madhësi të ndryshme;

Kanë trashësi dhe diametër të ndryshëm;

Ka unazë ne bërthamë me madhësi të ndryshme;

Kanë peshë të ndryshme;

Ndonjëherë mund të kërkohet edhe xham zmadhues për të ditur dallimet.

Këto janë disa nga mënyrat sesi mund t’i bëni dallimet e monedhave false. /Demorkacia.com/

Të ngjashme