Lajme
Akuza se negocioi përfitim, ishte i gatshëm për burg: Cila është historia e dëshmitarit për të cilin shkoi një letër në Hagë?
Demokracia
17:14 | 03 Mars 2024

Share:

Dëshmitari 29 vazhdon të jetë në qendër të disa zhvillimeve në Gjykatën Speciale të Hagës. Nacionale sot raportoi për një letër misterioze e cila ka arritur në Hagë, dhe e cila ka mobilizuar ekipet mbrojtëse. Por, cila është historia e këtij dëshmitari?

Kur dëshmitari 29 shkoi për të dëshmuar në Hagë në muajin tetor të vitit të kaluar, seanca nuk u mbajt. Kjo pasi dëshmitari shprehi gatishmërinë të shkonte edhe në burg, por jo të përgjigjej në pyetjet e palëve për rastin e krerëve të UÇK-së.

“Më duhet pak pushim se nuk po ndihem mirë me shëndetin. Nuk mund të vazhdoj. Më duhet me u konslultu me një avokat rreth procesit, nuk po i kuptoj do sene bash mirë”, tha dëshmitari.

Teksa ishte pyetur nga Prokuroria e Speciales për një provë, deklaratë të cilën ky organ pretendon se ai e ka dhënë në vitin 2004, dëshmitari kishte mohuar që të gjitha. Madje, akuzonte se ia kanë falsifikuar nënshkrimin.

“Nënshkrimi që është në fund të deklaratës, nuk është i imi”, thoshte ai.

Më shumë se një muaj iu deshën Dhomave të Specializuara të Kosovës të njoftojnë (DhSK) për fatin e dëshmisë së dëshmitarit të 29-të (të mbrojtur, me kodin W04577) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili në seancën e 10 tetorit kishte refuzuar të dëshmojë.

“Në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur W04577, i cili ishte i pranishëm në gjykatë në tetor për të dëshmuar, Trupi Gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve miratoi kërkesën e Mbrojtësit kujdestar të dëshmitarit dhe shtyu këtë dëshmi deri në njoftimin e ardhshëm. Pas konstatimit të Zyrës për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve (“ZMMD”) se dëshmitari është i paaftë të dëshmojë për momentin. Trupi Gjykues urdhëroi ZMMD-në të jetë në kontakt me dëshmitarin dhe, varësisht nga pëlqimi i nevojshëm, t’i raportojë Trupit Gjykues çdo dy muaj për aftësinë e dëshmitarit për të dëshmuar”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Historia e këtij dëshmitari nuk përfundon këtu. Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, pati ngritur dyshime se ky dëshmitar ka negociuar pako përfitimi me Prokurorinë.

“Më duket se ka lidhje me dëshmitarin e radhës. Nuk e di nëse keni pasur mundësi të shihni shënimet përgatitore apo korrigjuese të dëshmitarit, por iu lutem të shihni shënimin përgatitor numër dy. Në këtë shënim është një përmbajtje, një përshkrim i një, është bërë një përpjekje nga dëshmitari të negociojë diçka me prokurorinë para se të jap dëshmi, është paragrafi 1 dhe 12. Diskutohet diçka lidhur me atë që është premtuar në të shkuarën, dhe cfarë nuk është premtuar, dhe ka një kontradiktë të qartë mes asaj që është premtuar, dhe z.Pache, ka një kontradiktë mes asaj që ai thotë se është pretenduar, dhe asaj që pretendon Pache”, tha Emmerson, raporton Nacionale.

Sipas avokatit, dëshmitari ka dashur të përfitojë diçka në këmbim të dëshmisë.

“Në thelb nuk është premtuar asgjë. Megjithatë, dëshmitari ka shprehur dëshirën të përfitojë, apo një paketë të caktuar, por nuk e di nëse jeni të njoftuar me juridiksionin e Amerikës, por këtu ngrihen pikëpyetje sa i takon sjelljes së përfaqësuesve të Prokurorisë, i cili bën sygjestion apo sygjeron dëshmitarit diçka në këmbim të të qenit dëshmitar i mundshëm dhe në Britaninë e Madhe apo në SHBA pasi panë procedurën, kjo është krejt e papranueshme kur avokati bën premtim dëshmitarit dhe vet dëshmitari thotë se më kë premtuar diçka, dhe përafqësuesi i prokurorisë i thotë se të kam premtuar diçka tjetër. Iu kërkoj të shihni 17 paragrafët e parë për këtë shënim përgatitor, të shqyrtohet çfarë është ky premtim dhe çfarë pasoja ka kjo. Sepse kjo do të jetë një nga pjesët kryesore të kundër-pyetjeve për këtë dëshmitar”, tha ai.

Letra misterioze

Nacionale ka parë dokumentin e dorëzuar nga avokatët e krerëve të UÇK-së të cilët kanë kërkuar që letra e këtij dëshmitari, të hetohet nga një hetues i pavarur, e jo Prokuroria e Specializuar. Madje, thuhet se pretendimet e këtij dëshmitari mund të jenë fatale për besueshmërinë e tij, dhe provave për gjykim.

“Mbrojtja për z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi (“Mbrojtja”) kërkon nga Trupi Gjykues që të caktojë një hetues të hetojë pretendimet e përfshira në një mesazh të marrë nga ZPS në lidhje me W04577 (“Letra W04577”). Pretendimet e përfshira në mesazh ndikojnë drejtpërdrejt dhe janë potencialisht fatale për besueshmërinë e W04577. Identiteti i autorit të letrës W04577 është nga ana tjetër i domosdoshëm për çdo hetim mbi vërtetësinë e tyre”, thuhet në këtë parashtrim.

“Prandaj, meqenëse mbrojtja nuk është në gjendje të kryejë vetë hapat e nevojshëm hetimor për shkak të redaktimeve të autorizuara nga Trupi Gjykues, dhe Prokuroria është më tej në një situatë konflikti interesi pasi çështja e saj kundër katër të akuzuarve mbështetet, ndër të tjera, në besueshmërinë e W04577 , Mbrojtja kërkon që të caktohet një hetues i pavarur me qëllim që (i) të hetojë pretendimet e përfshira në Letër; (ii) të përgatisë një raport mbi rezultatin e hetimeve të tilla dhe (iii) t’i zbulojë Panelit dhe Palëve çdo material të marrë prej tij që bie nën Rregullat 102-103”, thuhet më tutje,

Ky dëshmitar kishte shkaktuar shumë reagime, pasi për të njëjtin, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kishte deklaruar se ka negociuar pako përfitimi me Prokurorinë për të dhënë dëshmi.

Letra nga ky dëshmitar, nuk dihet saktësisht se çfarë përmban. Ajo që dihet nga parashtrimi i avokatëve është se Prokuroria nuk ka pranuar ta zbulojë dokumentin pa redaktime për mbrojtjen. Megjithatë, ajo që konfirmohet është se dëshmitari në letrën e tij, ka dhënë prova për motivet personale që e kanë shtyrë për dhënien e dëshmisë.

“Informacioni i përfshirë në letrën W04577, nëse është i besueshëm, është fatal për besueshmërinë e W04577 si dëshmitar. Shkurtimisht, ai ofron prova se W04577 gjoja, në mbështetje të motiveve të tij personale, ndër të tjera [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë parashtrim, raporton Nacionale.

Të ngjashme