Lajme
“Aktrimi” i Osmanit në rrjete sociale| Pamje që tregojnë se ajo u injorua në samitin e sotëm
Demokracia
14:47 | 23 Qershor 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në rrjetet sociale po publikon fotografi nga “takime” të ndryshme. Në shikim të parë këto foto reflektojnë afërsi dhe duken si të rëndësishme nëpër ngjarje si kjo e sotmja, samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, nëse ato krahasohen me pamjet “LIVE”, atëherë këto të fundit e shfaqin presidenten Osmani pothuajse të përhumbur dhe të injoruar, pasi që shumicën e kohës nuk është parë e shoqëruar nga asnjë lider i rëndësishëm, raporton Demokracia.com.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, në pamjet e publikuara nga faqja e KE-së janë parë duke biseduar me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa presidentja Osmani është lënë prapa.

Osmani është injoruar edhe nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. Kjo e fundit me të hyrë në sallën ku u mbajt samiti, e ka përshëndetur presidenten Osmani, duke e pyetur se ku duhet të ulet dhe më pas ka vazhduar diskutimin me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, raporton Demokracia.com.

Presidentja Osmani është injoruar edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron, fotografia e të cilëve është bërë virale, pasi që ky i fundit shihet se e ka dorën të vendosur në xhep.

Veç kësaj, në pamjet e KE-së shihet se derisa liderët po shkonin që ta bëjnë fotografinë e përbashkët, Osmani është lënë krejt në fund, ndërsa Scholz, Macron e Michel i kanë prirë kryeministrit Edi Rama, kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, deri më tani nuk ka një deklaratë të përbashkët rreth asaj që është diskutuar në samit, derisa presidentja Osmani e ka bërë publik fjalimin e saj, ku ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave, raporton Demokracia.com.

Të enjten pritet që të mblidhet edhe Këshilli Evropian, i cili është vendimmarrës për këtë çështje.

Ani pse disa ditë kishte një optimizëm se vizat mund të liberalizohen, diskutimi për një vendim të tillë nuk është as në agjendën e KE-së.

Megjithatë, gjasat që liberalizimi i vizave për Kosovën të futet në rend dite për diskutim ekzistojnë, pasi që një prej pikave të agjendës thotë se do të flitet edhe për çështjet e politikës së jashtme./Demokracia.com/

Të ngjashme