Lajme
Aktivisti i afërt me VV-në kritikon Kurtin për Martin Berishajn: Çka po dallojnë ata që ishin me këta që janë
Demokracia
14:03 | 22 Prill 2022

Share:

Aktivisti Rron Gjinovci i ka bërë thirrje Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që të jap dorëheqje nga kjo pozitë, pasi televizioni slloven e përmendi dje si të përfshirë në një skandal financiar që është zbuluar në Slloveni, tri ditë para zgjedhjeve.

Gjinovci ka thënë se më e pakta që mund të bëjë Berishaj është që të jap dorëheqje, deri në sqarimin e situatës.

“Kosova ka nevojë për standard të ri në politikë. Kur akuzohesh prej medieve ndërkombëtare për korrupsion, e pakta që mundesh me bo për Kosovën është me dhanë dorëheqje deri sa të sqarohet situata, sepse Kosova s’mundet me përballu këso përfolje në diplomaci”, ka shkruar Gjinovci.

Tutje, Gjinovci ka kujtuar një deklaratë të kryeministrit Kurti për moralin në politikë, duke pyetur se çka po dallojnë politikanët që ishin me këta që janë tash.

“Na kena pritë që qeverija dhe presidentja na sjellin standarde të reja etike e morale në politikë. Siç thoshte Shkëlqesia e tij Kryeministri “na duhet t’ia kthejmë moralin politikës”. Përndryshe, çka po dallojnë ata që ishin me këta që janë?”, ka shkruar Gjinovci.

Vetë Berishaj i ka mohuar sot akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Ai ka paralajmëruar padi ndaj portalit që ka publikuar skandalin.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar Berishaj.

 

Analisti i afërt me LVV-në: Mos me pyesni pse jam dëshpëruar nga kjo Qeveri, shihni ambasadorin në Slloveni

Të ngjashme