Lajme
Aktakuzë ndaj të dyshuarit për shpëlarje të mbi 200 mijë eurove përmes kompanisë së tij
Demokracia
14:46 | 26 Qershor 2023

Share:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë kundër H.G., i dyshuar për shpëlarje të parave.

Sipas njoftimit të PSRK-së, i pandehuri H.G. akuzohet se duke vepruar në bashkëkryerje edhe me persona tani për tani të paidentifikuar, në llogarinë bankare të kompanisë së tij me seli në Prishtinë, ka pranuar dhe ka poseduar shumën e të hollave prej 213,897.94 euro, me qëllimin që ato të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme.

Sipas PSRK-së, i njëjti shumën prej 9,500.00 euro kishte arritur t’i tërheqë duke prezantuar fakte të rrejshme se gjoja i ka realizuar në mënyrë të ligjshme, edhe pse e ka ditur se pasuria e caktuar- mjetet e lartcekura janë fituar përmes aktivitetit kriminal të kryer përmes përdorimit të sistemit kompjuterik nga personi tani për tani i paidentifikuar.

Për këto veprime, i njëjti po dyshohet se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje edhe me të pandehurit tjerë të paidentifikuar ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me nenin 56 (paragrafi 1) të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Sipas njoftimit, Prokuroria pas pranimit të informatave lidhur me kryerjen e kësaj vepre penale, kishte arritur që përmes Urdhrit të përkohshëm për ngrirje të sekuestronte përkohësisht mjetet në shumën prej 213,897.94 euro, të cilën shumë me paraqitjen e Aktakuzës, PSRK i ka propozuar Gjykatës që ta konfiskojë si dobi e fituar nga vepra penale respektivisht që kanë rrjedhur nga aktiviteti kriminal i të pandehurit, me urdhër që e njëjta shumë të transferohet tek pala e dëmtuar.

Të ngjashme