Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj të pandehurit me inicialet I.B., i nacionalitetit rom nga Komuna e Klinës. Ai akuzohet për krime luftë kundër popullatës civile.
“Gjithashtu, i njëjti kishte marrë pjesë në djegien e shtëpive në fshatin Zajm dhe fshatrat për rreth, me ç‘rast në njërën nga shtëpitë e djegura, përkatësisht në shtëpinë e M. A. u gjetën të djegur viktimat B. A. dhe B. K., si dhe nën kërcënimin me armë me qëllim të frikësimit kishte marrë pjesë në dëbimin e banorëve të nacionalitetit shqiptar nga shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet thuhet se kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.
I pandehuri thuhet se gjendet në arrati.
“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për fillimin e gjykimit në mungesë pasi që janë plotësuar kushtet ligjore nga nenin 234 paragrafi 2 i KPP-së”, thuhet në njoftim.