Lajme
Aktakuzë ndaj 18 personave për subvencione në Istog, dëmtuan buxhetin me rreth 100 mijë euro
Demokracia
16:03 | 18 Prill 2024

Share:

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur sot aktakuzë kundër 18 personave, për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në komunën e Istogut.

Prokuroria në Pejë njofton përmes një komunikate për media se 11 të pandehurit janë persona zyrtarë dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale  “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ”Marrje e ryshfetit” dhe “Mashtrimi në detyrë”, ndërsa shtatë persona të tjerët janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione”.

Vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth 17 mijë euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës është rreth 100 mijë euro.

Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banesa dhe rreth 20 mijë euro para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë”, thuhet tutje në komunikatë,.

Të ngjashme