Lajme
Aksidentet me fatalitetet do të reduktoheshin sikur Kurti ta përmbushte zotimin e tij
Demokracia
13:27 | 23 Dhjetor 2023

Share:

Ndonëse i ka edhe një vit e pak muaj për t’i përmbushur zotimet e tij, premtimet më të mëdha të kryeministrit Albin Kurti po mbesin veç në letër, shkruan Demokracia.com.

Para pak ditëve ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku, i cili u mori jetën 3 personave në afërsi të Prizrenit. Aksidenti u shkaktua si pasojë e garave me makina. Njëra nga makinat ka goditur disa persona të cilët po qëndronin pranë autostradës dhe ishin duke e ndjekur garën. Kjo tragjedi ka nisur të fashitet krejt në heshtje dhe askush nga krerët institucionalë nuk ndjeu përgjegjësi, madje as morale të ofrojë dorëheqje.

Lajme për vdekje në komunikacion ka pothuajse çdo ditë.

Më ta marrë drejtimin e Qeverisë, kryeministri Kurti kishte dhënë zotime të fuqishme për sigurinë rrugore. Po të implementohej ai plan, ndonëse ishte i shkruar në më pak se gjysmë faqe word, vdekjet në trafik do të mund të ishin më të pakta se aktualisht.

Më të ardhur në pushtet, Qeveria Kurti II e kishte miratuar edhe Programin e Qeverisë 2021 -2025. Në këtë plan, një vend i ishte dedikuar edhe infrastrukturës, konkretisht një kapitulli që quhet “Siguria dhe mirëmbajtja rrugore”.

Zotimet që janë dhënë aty nuk janë përmbushur deri më tani nga Qeveria, ndërkohë që i ka mbetur edhe një vit për ta jetësuar planin e vet, shkruan Demokracia.com.

Krejt çka ka bërë Qeveria deri më tani është se në javën e kaluar, ka arritur që në mbledhjen e saj të 178 të miratojë Projektligjin për Rrugët, i cili duhet edhe një kohë që të bëhet ligj i plotfuqishëm.

Por, çka thoshte zotimi i Qeverisë për sigurinë në rrugë?

“Do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë nivelit të ulët të sigurisë rrugore, nëpërmjet vendosjes së sistemit inteligjent të transportit (ITS), mirëmbajtjes dhe sinjalizimit të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës, ngritjes së kapaciteteve profesionale në fushën e inspektimit të sigurisë rrugore dhe funksionalizimit të strukturave për sigurinë e trafikut rrugor. Do të krijojmë qendra mobile për kontrollim të automjeteve në rrugë për kontrollin e emetimit të gazrave të liruara nga automjetet, përmirësimin e sistemit të dhënave për aksidente rrugore dhe identifikimin e akseve rrugore me rrezikshmëri të lartë. Po ashtu, do të plotësojmë kornizën ligjore për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore, për automjetet dhe patent shofer, për menaxhimin e sigurisë së infrastrukturës rrugore, për kushtet e pjesëmarrjes në rrugë të automjeteve, licencimin e operatorëve të transportit rrugor të mallrave dhe për licencimin e makinistëve”, thuhet aty.

Ky zotim ka mbetur vec në letër, shkruan Demokracia.com.

Pika më e rëndësishme aty, e cila do të ofronte një siguri të madhe është vendosja e Sistemit Inteligjent të Transportit (SIT). Maqedonia e Veriut rishtazi ka miratuar Strategjinë Nacionale për Sistemin Inteligjent të Transportit 2023-2032.

Vendosja e sistemit inteligjent të transportit (SIT) është një fushë e studimit dhe implementimit që përdor teknologjinë për të përmirësuar efikasitetin, sigurinë dhe mjedisin në transportin publik dhe individual.

Këtu janë disa aspekte kyçe të vendosjes së SIT:

Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK): Përdorimi i sensorëve, GPS, sistemeve të ndërtimeve të trafikut dhe të dhënave të mëdha (big data) për të monitoruar dhe menaxhuar trafikun.

Komunikimi i Vozitave: Mundëson ndërlidhjen midis makinave, detyrave dhe infrastrukturës për të shmangur aksidentet dhe për të optimizuar fluksin e trafikut.

Sistemet e Menaxhimit të Trafikut: Përdorimi i algoritmeve dhe të dhënave për të ndihmuar në menaxhimin e detyrave, shtimit të efikasitetit të rrugeve, dhe zvogëlimin e ndotjes.

Sistemet e Parkimit: Këto sisteme ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjeve të lira të parkimit dhe lehtësojnë qasjen e automjeteve në këto vende.

Integrimi i Transportit Publik dhe Privat: Përdorimi i aplikacioneve mobile dhe të dhënave të qasjes së hapur për të ndihmuar udhëtarët të planifikojnë udhëtimet e tyre duke kombinuar shpesh transportin publik me atë privat.

Siguria: Vendosja e kamerave, sensorëve dhe teknologjive të tjera për të monitoruar dhe raportuar për rreziqet potenciale dhe aksidentet, etj.

Vendosja e sistemit inteligjent të transportit është një përpjekje për të përmirësuar jetën urbane, duke reduktuar kohën e ndotjes dhe ndërhyrjen, duke ofruar alternativa më të mira për udhëtarët dhe duke promovuar një mjedis më të pastër dhe më të sigurt.

Nga ana tjetër, lidhur më sigurinë rrugore, Qeveria ishte zotuar se: “Do të krijojmë qendra mobile për kontrollim të automjeteve në rrugë për kontrollin e emetimit të gazrave të liruar nga automjetet, përmirësimin e sistemit të dhënave për aksidente rrugore dhe identifikimin e akseve rrugore me rrezikshmëri të lartë”.

Ideja e qendrave mobile akoma as që ka nisur, ndërkohë Qeveria as që ia ka ”haberin” se cilat akse rrugore janë me rrezikshmëri të lartë, ngase nuk e ka bërë asnjë studim lidhur me këtë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme