Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është i përfshirë në një skandal të madh financiar, nuk e kishte publike deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, që është obligim ligjor për zyrtarët e lartë shtetëror.
Berishaj, që mediat sllovene po raportojnë se ka bartur para në vlerë prej 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi, si shkak i mosdeklarimit të pasurisë përbën shkelje të ligjore dhe kategorizohet si vepër penale.
Të paktën, Berishaj nuk figuronte deri tani vonë se e kishte deklaruar pasurinë në faqen zyrtare të këtij institucioni, i cili të gjitha i bën publike, raporton Demokracia.com.
Demokracia.com ka dërguar pyetje në AKK që nga mëngjesi, mirëpo vetëm para pak minutash kjo agjenci ka kthyer përgjigje.
Në përgjigjen e AKK-së thuhet se publikimi i pasurisë së Berishajt nuk është bërë për shkak të një lëshimi teknik.
“Për shkak të një lëshimi të natyrës teknike i njëjti nuk ishte i qasshëm për publikun”, kanë thënë nga AKK për Demokracia.com, duke i bashkëngjitur edhe të dhënat e deklarimit të pasurisë të Berishajt.
Në Ligjin Nr.04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, thuhet se të gjithë zyrtarët duhet të bëjnë deklarimin e pasurisë.
“1.1.12 Ambasadorët, Konsujt, Zëvendës Konsujt, Sekretarët e Ambasadave apo Konsullatave të Republikës se Kosovës”, thuhet në ligjin për deklarimin e pasurisë.
Ndërsa, sot gjatë ditës, në një konferencë për media që po mbante Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur për ambasadorin Berishaj dhe reagimi i saj ka qenë skandaloz.
Osmani për pyetjen e gazetarit ka thënë se është konstatim, duke e vlerësuar edhe për keqardhje për atë që janë interesuar mediat.
“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje sesi ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, ka thënë Osmani në konferencën për media me homologun e saj letonez Eglis Levits.
Ambasadori Martin Berishaj ligjërisht obligohet t’i deklarojë të gjitha të hyrat, brenda dhe jashtë vendit, si dhe të gjitha bizneset e tij kudo që i ka të regjistruara. /Demokracia.com/
Presidentja i bëhet “avokate” Martin Berishajt, injoron faktet e publikuara nga televizioni slloven