Lajme
Afro 3 mijë raste të dhunës në familje për një vit
Demokracia
14:00 | 18 Shtator 2023

Share:

Nga korriku i vitit të kaluar deri në fund të qershorit të këtij viti janë raportuar rreth 2 mijë e 800 raste të dhunës në familje. Nga këto raste janë 2 mijë e 165 gra të cilat kanë raportuar në polici dhunën që është ushtruar ndaj tyre. Kështu u tha në mbledhjen e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

Kjo ishte edhe mbledhja konstituive e këtij komisioni, ku mes tjerash u bë e ditur se në pesë muajt e parë të këtij viti janë raportuar 27 raste të sulmeve seksuale.

Kryesuesja e këtij komisioni, Albana Bytyqi, tha se mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa 20 për qind e tyre janë gra.

“Në bazë të statistikave të cilat i kemi nxjerr dhe rastet që janë për dhunën në familje, raportimi i rasteve të dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës nga periudha 1 korrik 2022 deri më 30 qershor 2023, numri i rasteve të raportuara në Polici është 2735 raste, prej tyre 2 mijë e 165 gra dhe 559 burra. Mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa 20 për qind e tyre janë gra. Nga kjo statistikë i bie që në çdo pesë persona të dyshuar si kryes të dhunës në familje, katër prej tyre janë burra dhe një është grua. Numri i rasteve ndërmjet të dyshuarit dhe viktimës, 2 mijë e 162 raste janë Bashkëshort-Bashkëshorte, 120 raste fëmijë-prind, 462 raste janë prind-fëmijë dhe 123 raste janë vëlla e motër”, tha Bytyqi.

Ndërkaq, Bytyqi shtoi se në pesë muajt e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 37 raste të ngacmimit seksual.

“Gjykimi i rasteve të dhunës në familje në Gjykatat e shkallës së parë , nga periudha korrik 2022 deri në prill 2023 gjykatat kanë pranuar gjithsej 625 lënde për dhunën në familje, kanë shpallur gjithsej 254 aktgjykime dhe 52 aktvendime nga këto raste për 90 për qind të tyre janë shpallur aktgjykime ndëshkuese. Ndërsa tek dhuna seksuale, në pesë muajt e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 37 raste të ngacmimit seksual, krahas këtyre shifrave, edhe 27 tjera u raportuan për sulm seksual. Në 2022, në total numri i rasteve të ngacmimeve seksuale shkoi në 93. Ndërkaq i sulmeve seksuale është 69. Dhe në 2021 u raportuan gjithsej 102 raste të dhunimeve”, tha Bytyqi.

Opozitë dhe pozitë kanë qenë më mendime të ndara sa i përket formimit të këtij komisioni, shkruan RTV21.tv.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, tha se është i panevojshëm formimi i këtij komisioni pasi ekziston një i tillë, ai për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

“Fillimisht nuk po e kuptoj një komision të tillë kur ne e kemi Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe i kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm që ta kemi Ligjin adekuat që e trajton këtë çështje dhe po ashtu kemi agjendë konkrete që adreson dhunën në familje dhe nuk po e kuptoj pse duhet të ketë edhe një komision të tillë”, tha Musliu-Shoshi.

Për këtë, Bytyqi tha se është kërkesë e 42 deputetëve, dhe është legjitime formimi i këtij komisioni.

“Kemi pas diskutime të shumta lidhur me rastet e dhunës në familje, mirëpo edhe te dhunës seksuale. Përderisa është kërkese e 42 deputeteve, është legjitime që të formohet komisioni hetimor. Ajo që çfarë mund të bëjmë është për të mirën e njerëzve të cilat janë viktimë e këtyre rasteve, dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën”, tha Bytyqi.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti, tha se formimi i këtij Komisioni nuk e dëmton punën e asnjë institucioni tjetër.

“Nuk mendoj që e dëmton diçka nëse ne i kushtojmë më shumë rëndësi kësaj çështjeje se është çështje shumë serioze dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka një fushëveprim shumë më të gjerë”, tha Hoti.

Të ngjashme
Lajme • 06 Dhjetor 2024