Lajme
Afrika e Jugut paralajmëron Putinin: Mund të arrestohesh gjatë pjesëmarrjes në samitin e BRICS
Demokracia
08:18 | 02 Maj 2023

Share:

Autoritetet e Afrikës së Jugut po përpiqen t’ia ndalojnë presidentit rus, Vladimir Putin, pjesëmarrjen në samitin e BRICS që pritet të mbahet në muajin gusht në Gauteng pasi që do të detyrohen ta arrestojnë pas një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Pjesëmarrja në samit së bashku me liderët e Afrikës së Jugut, Kinës, Indisë dhe Brazilit do të ishte një goditje për shtetet Perëndimore dhe fitore diplomatike për Putinin.

Duke cituar burime të qeverisë së shtetit afrikan, Sunday Times shkroi se një komision i posaçëm qeveritar i krijuar nga presidenti, Cyril Ramaposa kishte arritur në përfundimin se vendi nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të arrestonte liderin rus nëse ai shkel në tokën e Afrikës së Jugut.

Meqenëse Afrika e Jugut ka ratifikuar Statutin e Romës, dokumenti kryesor që rregullon GJPN-në, ajo është e detyruar t’u bindet vendimeve të saj, duke përfshirë urdhër-arrestet për kriminelët e dyshuar të luftës.

“Ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër pos të arrestimit të Putinit”, tha një zyrtar qeveritar për The Sunday Times. “Nëse ai vjen këtu, do të detyrohemi ta arrestojmë”.

Pretoria mbetet në kontakt me Kremlinin para se të mbahet samiti në muajin gusht të këtij viti, raporton themoscowtimes.

“Sigurisht, ne do të marrim pjesë në samitin që do të mbahet në Afrikën e Jugut. Natyrisht, kësaj do t’i paraprijnë kontaktet tona dypalëshe me afrikano-jugorët, ne do të sqarojmë pozicionin e tyre”, tha në fund të prillit zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ligjërisht, autoritetet e Afrikës së Jugut nuk kanë zgjidhje tjetër: nëse Putini nuk arrestohet, kjo do të shkelte jo vetëm ligjin ndërkombëtar, por edhe ligjet e Afrikës së Jugut, thotë Priyal Singh, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë të Afrikës së Jugut.

Edhe skenari teorik i një përjashtimi nga juridiksioni i ICC-së përpara vizitës së mundshme të Putinit nuk është i realizueshëm – thjesht nuk ka kohë të mjaftueshme. /Telegrafi

Të ngjashme
Lajme • 26 Prill 2024