Sport
Ademi e Giresse optimistë për kualifikim në Euro 2024
Demokracia
16:04 | 09 Tetor 2022

Share:

Kosova ka njohur rivalët në rrugën e saj drejt Euro 2024. Dardanët, në shortin e tërhequr në Frankfurt, janë përfshirë në Grupin I së bashku me Zvicrën, e cila në radhët e saj ka disa futbollistë me prejardhje nga Kosova.

E pjesë e këtij grupi janë edhe Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra.

Duke pasur parasysh faktin se Kosova arriti t’i evitojë disa grupe shumë më të forta, shorti po vlerësohet i favorshëm, mirëpo rruga drejt realizimit të ëndrrës së madhe është jo e lehtë dhe sfiduese.

Menjëherë pas tërheqjes së shortit në Frankfurt opinionet e tyre për verdiktin e shortit për faqen zyrtare të FFK-së i dhanë kryetari Agim Ademi dhe përzgjedhësi i Kombëtares, Alain Giresse.

“Uroj që ta kemi ekipin mirë me shëndet dhe pa lëndime në muajin mars. Grupi është korrekt. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë. Na priftë e mbara dhe pres përkrahjen e të gjithëve, të institucioneve, të Dardanëve, të komunitetit të futbollit dhe gjithë faktorit shqiptar në vend dhe sidomos Diasporës tonë. Kombëtarja e Kosovës është e të gjithëve pa dallim. Të gjithë e kemi të drejtën dhe rolin e barabartë në këtë pikë“, ka theksuar Ademi.

Ndërkaq, përzgjedhësi Giresse ka thënë se në bazë të këtij grupi mund të shpresohet për kualifikim.

“Tani kemi verdiktin e shortit dhe e kemi këtë grup dhe duhet të shohim si mund të kualifikohemi. Mund të ishte një grup më i vështirë, por nuk do të thotë se jemi të magjepsur. Sidoqoftë, mendoj se mund t’i japim vetes ambicien për të arritur një paraqitje të bukur në këtë grup. Sigurisht, do të kemi një ndeshje speciale e ajo është ndeshja kundër Zvicrës, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mes dy popujve janë të veçanta. Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, ka theksuar Giresse për faqen zyrtare të FFK-së, pas tërheqjes së shortit në Frankfurt.

Ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2024 do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit të ardhshëm./Demokracia.com/

Të ngjashme