Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për energji në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se marrëveshja që sot u nënshkrua në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, është udhërrëfyes i dy marrëveshjeve të arritura në vitin 2013 dhe 2015, ku në atë kohë Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin thoshin se këto marrëveshje e legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë, por që sot Qeveria i ka proklamuar me plotë meritë, përcjell Demokracia.com.
Sipas Abdixhikut, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Kurti duhet të dalë para qytetarëve e të tregojë se a do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë, përderisa ka shtuar se LDK-ja edhe në të kaluarën edhe tash por edhe në të ardhmen do ta mbështes çdo marrëveshje e cila synon ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.
Reagimi i plotë i Abduxhikut, pa ndërhyrje:
Qeveria e Kryeministrit Kurti sot nënshkroi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun e vendit. Ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet.
Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë.
LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.