Lajme
Abbott paralajmëron vizita të rëndësishme në Prishtinë: Është koha që Kosova ta prezantojë zyrtarisht një draft për Asociacionin
Demokracia
15:04 | 09 Maj 2023

Share:

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ai e ka thënë këtë derisa ka bërë të ditur që këtë javë do të ketë “vizitorë të rëndësishëm” në Prishtinë, ndër të tjera edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në qeverinë britanike.

Abbott ka thënë se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke u mbështetur në vizionin e prezantuar nga kryeministri Kurti më 2 maj, e në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE.

“Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin, duke u mbështetur në vizionin e prezantuar nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE”, ka shkruar Abbott ndër të tjera.

Kujtojmë se në takimin e dy majit të nivelit të lartë në Bruksel, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, ka prezantuar draft-statutin për formimin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti tha se “qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”. Sipas tij, dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht në papajtueshmëri me kushtetutshmërinë”.

Kurti në këtë takim ka propozuar “një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Të ngjashme