Lajme
Abazi: Raporti i Komisionit Hetimor për energji i pozitës sa për sy e faqe
Demokracia
14:38 | 22 Mars 2023

Share:

Sot, në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa u shpreh se është joserioze që pa prezencën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli të bëhet shqyrtimi i këtij raporti.

Teksa shpalosi edhe objektivat e këtij Komisioni Hetimor, Beqa kërkoi që ky raport të votohet pasi konsideron se bënë një përmirësim në fushën e energjisë elektrike.

“Konsideroj se është jo serioze sot të shqyrtohet një raport pa prezencën e ministres së linjës të energjetikës, megjithatë është në vendimin e deputetëve mendoj se kjo pikë e rendit të ditë ka qenë në disa seanca… Kërkoj ta votoni raportin sepse mendoj e bënë një përmirësim në fushën e energjisë elektrike sepse është një përmbledhje e gjatë ”, theksoi ai.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se raporti tregon se që nga viti 2021 nuk importohet energji elektrike nga Serbia.

Muja tha se një pjesë e konsiderueshme e energjisë së importuar ishte që të servisohet një marrëveshje e keqe për privilegjuesitë ë Fernokelit, Alferonit dhe Kuniko Gruop.

Tutje, ai tha se shpronësimet gjatë periudhës që është hetuar nga ky Komision kanë rezultuar se janë bërë me vendime plotësisht politike në vitin 2017.

“Që nga viti 2021 nuk importohet rrymë më nga Serbia, siç evidentohet edhe në raportin e këtij Komisioni…Kanë qenë dy firma serbe përmes të cilave Kosova është furnizuar me energji të furnizuar e para ka qenë EFT Group e Vuk Hamoviqit djali i ish gjeneralit serb Hamoviq e dyta ka qenë Rudanapi në pronësi të Damir Fazlliq nip i Jovica Stanishiqit ish shef i sigurimit serb. Ajo çka nënvizon edhe raporti në faqe 15 është që çmimi mesatar i energjisë së importuar ndërmjet 2006-2013 nga Kosova ka qenë 30% më e shtrenjtë sesa çmimi mesatare…ndërmjet vitit 2014-2020 çmimi i energjisë mesatare të importuar nga Kosova ka qenë 20 % më shtrenjtë në ndërkohë që për vitin 2021 çmimi i energjisë së importuar ka qenë vetëm 5% më e shtrenjtë sesa çmimi mesatar në bursën e Hungarisë“, tha ai.

Deputeti Muja u shpreh po ashtu se faturat e energjisë elektrike në veri i kanë kushtuar Kosovës 300 milionë euro.

“Faturat e energjisë elektrike për strukturat paralele i kanë kushtuar Kosovës 300 milionë euro, ato i kemi mbuluar ne me faturat tona i ka mbuluar KOSTT që nga viti 2017 ose Qeveria e Kosovës. Ajo çka vërehet është se qeveria e Kosovës i ka bërë disa përpjekje për ta rregulluar këto çështje”, theksoi ai.

E Armend Zemaj nga LDK tha se viti 2021 ka qenë viti më i keq me shumën më të madhe pasi në këtë vit janë blerë 13 milionë euro më shumë energji elektrike sesa në vitin 2020.

“Viti 2021 është viti më i keq me shumë më të madhe të energjisë elektrike 155 milionë e 604 mijë euro të energjisë elektrike, krahasuar me vitin 2020 113 milionë më shumë sesa vitin 2020 e gjithë kjo rezulton nga papërgjegjësia dhe paaftësia që Kosova A apo blloku A të shkoj në remont në kohë dhe të mos kemi pasoja të blerjes së energjisë elektrike me çmim marramendës…Është një raport që nuk ka derivuar me dyshime për keqpërdorime, manipulim, vjedhje apo ne nuk kemi arritur si konkluzion tek e vërteta e saktë ”, theksoi ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se qëllimi i këtij komision ka qenë devalvimi i Komisionit nga opozita.

“Insistimi i partisë tuaj që të krijohet ky komision në mënyrë që me devalvua komisionin e parë që kemi pas aryse se pse opozita ka kërkuar Komisionin dhe kjo po verifikohet sot nga raporti i DASH-it të cilët e verifikuan se në këtë qeveri ka afera të qarta korruptive edhe që nuk po luftohen nga kjo qeveri dhe po mbrohen dhe rasti më i rëndësishëm është rasti i ambasadori Martin Berishaj”, theksoi ajo.

Haki Abazi nga LVV tha se ky raport është vetëm sa për sy e faqe.

“Ky raport është vetëm sa për sy e faqe asnjë vlerë tjetër nuk e ka”, theksoi ai.

Kuvendi i Kosovës po ashtu ka votuar raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.

Ky raport mori mbështetjen e 68 deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, 67 ligjvënësë votuan pro edhe për raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021. Ndërsa, një deputet absentoi.

Të ngjashme