Lajme
AAK-ja kërkon nga Qeveria kthimin e Ligjit për Paga
Demokracia
14:04 | 07 Prill 2021

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj bashkë me shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, kanë mbajtur një konferencë për media, lidhur me Ligjin për Paga.

AAK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta rikthejë procesin për Ligjin për Paga në Qeveri me amendamente shtesë dhe t’ia procedojë Kuvendit.

Haradinaj është shprehur se sipas tij, gjatë qeverisjes së tij përmes Ligjit të Pagave i ka dhënë status dinjitoz secilit zyrtar publik dhe se për këtë është punuar për 10 vjet.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta rikthejë procesin në Qeveri dhe ta amandamentojë aty ku ka pasë vërejtje dhe ta kthejë në Parlament për t’i dhënë përkrahje këtij ligji”.

Kreu i AAK-së në një përgjigje rreth pyetjes se a është kjo formë e opozitarizmit   që po e bëjnë me anë të konferencave u përgjigj se kjo që po bëjnë nuk është opozitarizëm por ndihmë për Qeverinë duke dhënë sugjerime, përcjell Demokracia.com.

“Mendojmë se Qeveria është në ditët e para dhe është me rëndësi që të ia kujtojmë disa tema të rëndësishme për jetën tonë, ne nuk po bëjmë opozitarizëm duke mbajtur konferenca çdo javë, por po japim ndihmë duke dhënë sugjerime”, ka thënë ai.

Më tej Haradinaj shprehu mendimin e tij lidhur me vaksinimin e mjekëve dhe mësuesve kosovarë në Shqipëri, meqë tashmë si zgjidhje kanë mbetur vetëm vaksinat kineze, ai tha se është më mirë që vaksinat të sigurohen brenda Kosovës, duke besuar që një ndihmë për këtë do të mund të jepte Amerika.

“Nuk e shoh si zgjedhje me shku mjekët e mësuesit në Shqipëri për tu vaksinuar port duhet t’I sigurojmë vaksinat që të vijnë në Kosovë, e që besoj se Amerika do të mund të ndihmonte Kosovën në këtë aspekt. I propozoj edhe Kryeministrit edhe Presidentes që të kërkojnë t’I drejtohen Amerikës”, ka thënë Haradinaj./Demokracia/

Të ngjashme