Lajme
A po vazhdon Qeveria e Kosovës t’i paguajë terroristët e “Mbrojtjes Civile” (VIDEO)
Demokracia
20:21 | 06 Mars 2024

Share:

Paratë për çdo muaj u kishin dalë në xhirollogari.

Por asnjëri prej 149 punëtorëve të komunitetit serb të shpërndarë në të paktën pesë ministritë e Qeverisë së Kosovës, nuk shkuan në punë gjatë tërë vitit 2022. Kjo bëri që shteti të humb rreth 800 mijë euro për punëtorë që nuk punojnë.

Kështu pati raportuar Zyra Kombëtare e Auditimit, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të mbajtur në tetor të 2023-tës.

Në fakt, këta punëtorë ishin punësuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015, me qëllim të integrimit të komunitetit serb nëpër institucionet e Kosovës. Të gjithë këta punëtorë, që në fillim të marrëveshjes ishin 483 sosh, ishin pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile”.

Këtë të fundit bashkë “Brigadën e Veriut”, në qeshor të vitit 2023, Qeveria  e Kosovës i shpalli organizata terroriste, pasi siç kishte thënë kryeministri Albin Kurti, të njëjtat paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Por në cilat institucione kishin zënë vend këta qytetarë serbë?

Ata kishin zënë pozita të ndryshme nëpër agjenci e ministri, duke nisur nga pozita për mirëmbajtje e deri te zyrtar të lartë të arsimit.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u punësuan 20 punëtorë serbë. Të gjithë së bashku u paguan rreth 102 mijë euro. Rreth 77 mijë euro, për një vit u paguan 20 punëtorë të tjerë serbë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

20 të tjerë zunë pozita në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Për këta punëtorë u dhanë mbi 105 mijë euro.

Mbi 127 mijë euro për një vit u paguan 25 punëtorë serbë, të punësuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Para të majme morën edhe 64 të punësuarit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ata u paguan afër 314 mijë euro në vitin 2022, pa shkuar fare në punë.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fund të vitit 2022 pati deklaruar se ua kishte ndërprerë pagesën 32 punëtorëve serbë të angazhuar në MASHTI, e të cilët ishin paguar pa punuar.

Por ende nuk dihet se si kanë vepruar edhe ministritë e tjera.

Kiks Kosova ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kuptuar nëse qeveria e Kosovës po vazhdon t’i paguajë ende anëtarët e organizatës terrroriste “Mbrotja Civile”, por nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje.

Të ngjashme