Lajme
A po e izolon Gjermania, Donika Gërvallën? Baerbock i fton të gjithë nga rajoni, sërish mungon ministrja kosovare
Demokracia
17:36 | 24 Shtator 2022

Share:

Në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së përvjetshme të Kombeve të Bashkuara, është mbajtur takimi ministror i shefave të diplomavice të rajonit tonë. Ky takim është organizuar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Në këtë takim ministror të quajtur “Formësimi i sigurisë kibernetike globale një thirrje për veprim për të promovuar sjelljen dhe kapacitetin e përgjegjshëm të shtetit” kanë marrë pjesë shefat e diplomacive të vendeve fqinje të Kosovës – Olta Xhaçka e Shqipërisë, Besim Osmani i Maqedonisë së Veriut, Ranko Kripokaviq i Malit të Zi, etj, shkruan Demokracia.com.

Mirëpo, ajo që bie në sy është mungesa e ministres kosovare të diplomacisë, Donika Gërvalla, e cila edhe pse gjendet në Nju Jork nuk është parë në këtë takim të rëndësisë së lartë, kur dihet se edhe Kosova po përballet me sulme kibernetike.

Kjo mungesë është e dyta më radhë e Gërvallës në takimet që i fton ministrja gjermane, Annalena Baerbock.

Dy javë më parë, më 12 shtator, në Berlin ishte mbajtur konferenca “Formësimi i Politikës së Jashtme Feministe”, po ashtu e organizuar nga shefja e diplomacisë gjermane.

Në këtë konferencë kishte marrë edhe ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, pasi që  ky organizim i kushtohej grave në politikën e jashtme, shkruan Demokracia.com.

Përveç që është femër dhe ishte dashur të jetë në këtë konferencë, Donika Gërvalla njihet edhe si gjermanofolëse, megjithatë as kjo nuk i kishte “dhezur” që të jetë në mesin e femrave të fuqishme në botë.

Po ashtu, shefja e diplomacisë kosovare ende nuk është ftuar për vizitë zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, adresë kjo shumë e rëndësishme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Vizita e vetme zyrtare e Gërvallës në Gjermani është vizita te deputetët e këtij shteti, mirëpo takim zyrtar me Annalena Baerbock, ministren gjermane të Punëve të Jashtme, ende nuk ka pasur.

Gërvalla të vetmin takim, nëse mund të quhet i tillë, me Baerbock e ka pasur në Aeroportin “Adem Jashari” kur ka dalë ta priste, mirëpo aso kohe nuk kishte takim bilateral. /Demokracia.com/

LEXONI EDHE: 

Gjermania e injoron Donika Gërvallën, nuk e fton në konferencën që i kushtohet grave në politikën e jashtme

 

Të ngjashme