OpEd
A po e humb Emmanuel Macron kontrollin e Francës?
Demokracia
20:10 | 25 Mars 2021

Share:

Nga Gavin Mortimer, The Spectator

Për Emmanuel Macron, java nisi me lajme jo shumë të mira. Një sondazh i ri zbuloi se skepticizmi ndaj vaksinave në vendin e tij ka arritur nivele rekord, falë përçmimit që ai vetë shfaqi ndaj vaksinës AstraZeneca disa muaj më parë.

Gjashtëdhjetë e një për qind e atyre që u pyetën, shprehën dyshimet e tyre në lidhje me vaksinën, pra 18 për qind më shumë se muajin e kaluar. Vetëm 23 për qind e të pyeturve, u shprehën se kishin besim tek vaksina e kompanisë britaniko-suedeze.

Ndërkohë, 75 për qind e britanikëve kanë besim tek kjo vaksinë. Por nëse francezët janë gjithnjë e më pak të gatshëm të vaksinohen, nga tjetër ata janë të vendosur të shijojnë ardhjen e pranverës – me apo pa kufizimet për shkak të Covid-19.

Në Marsejë rreth 6.500 njerëz vallëzuan dhe festuan në një festë karnavalesh të zhvilluar nëpër rrugë fundjavën e shkuar, shumë prej tyre të veshur me veshje shumëngjyrëshe. “Të rinjtë nuk durojnë dot më të qëndrojnë të izoluar. Këtu nuk ka asnjë të moshuar shëndetlig, por vetëm të rinj”- tha 26 vjeçari Romain.

Një demografi më e larmishme u vu re nëAnnecy, ku rreth 1000 njerëz u mblodhën të dielën në bregun e liqenit të qytetit për një festival të Lirisë. Ndjenjat e njerëzve ishin të njëjta si në Marsejë. “Jo maska, jo më kufizime!”- bërtiste turma.

Një nga të pranishmit u tha gazetarëve se donte të përjetonte “gëzimin dhe dashurinë e të tjerëve, pa frikën e një virusi”.Policia e prishi festën në Marsejë në fillim të mbrëmjes, duke arrestuar 9 persona, ndërsa kryebashkiaku i qytetit, Benoit Payan, shkroi i pezmatuar në Twitter:“Jam i zemëruar. Sjellja egoiste e disa njerëzve të papërgjegjshëm, është e papranueshme. Asgjë nuk e justifikon sabotimin e përpjekjeve kolektive për të frenuar përhapjen e virusit”.

Një përgjigje e ngjashme erdhi edhe nga qeveria qeveria qendrore. Të paktën rebelimet në Marsejë dhe Annecy ishin paqësore, ndryshe nga ato që po shihen tashmë në shumë qytete dhe qyteza në mbarë Francën javët e fundit.

Nga Blois në Bordeaux, Verdun në Toulouse dhe Rennes në Lyon, trazirat kanë pllakosur qytetet, teksa policia dhe zjarrfikësit janë ata që përballen me barrën kryesore të dhunës. Qeveria dërgoi përforcime policore nga Parisi në Lyon në fillim të këtij muaji, pas disa netësh trazira nga të rinjtë, që ishin inatosur nga arrestimi i shitësve lokalë të drogës. Një stacion policie u godit nga një fishekzjarr i madh, që është shndërruar në armën e preferuar të protestuesve.

Në shënjestër kanë qenë gjithashtu stacionet policore në Toulouse, Sarcelles (veriu i Parisit) dhe Grenoble. Ndërsa tetorin e kaluar në Champigny-sur-Marne, në juglindje të Parisit, stacioni i policisë u sulmua me mjete piroteknike nga rreth 40 të rinj, duke krijuar skena që i ngjanin zonave të luftës në Lindjen e Mesme.

Më pas sulmuesit tentuan të hynin më forcë në komisarit me shufra hekuri, por pa sukses.

Këto trazira, kanë pak të bëjnë me kufizimet për shkak të pandemisë. Forcat që qëndrojnë pas tyre ka më shumë të ngjarë të jenë banda të trafikut të drogës apo islamikë, që inkurajojnë të rinjtë e mërzitur të sulmojnë policinë si një mënyrë për të sfiduar ligjin e Republikës Franceze.

Kjo luftë urbane po rritet në frekuencë, guxim dhe egërsi, siç e parashikoi edhe Gérard Collomb në vitin 2018 kur dha dorëheqjen nga detyra e Ministrit të Brendshëm, i lodhur nga puna pas vetëm 18 muajsh. Collomb e paralajmëroi kryeministrin e atëhershëm, Edouard Philippe, se duke e parë nga vija e parë dhe nga afër brendinë e shumë qyteteve“ai që dominon është ligji i më të fortit, ai i trafikantëve të drogës dhe islamikëve radikalë, të cilët kanë zënëvendin e Republikës”.

Dhe nëse nuk do të bëhej urgjentisht diçka, ai parashtroi një vizion tronditës mbi të ardhmes:“Ne duhet të kemi një vizion të përbashkët, pasi jetojmë krah për krah njëri-tjetrit… por druaj se nesër do të jetojmë ballë për ballë”.Dhe në fakt nuk është bërë asgjë.

Përkundrazi, situata është përkeqësuar, dhe trazirat tashmë janë duke u përhapur në qytete provinciale si Châteauroux në Francën Qendrore. Bandat e drogës e kanë zhvendosur dhunën brenda qytetit që përbëhet nga 44.000 banorë, dhe muajin e kaluar një makinë u godit me 14 plumba kallashnikovi,gjatë asaj që mendohej të ishte një luftë për territor midis bandave të drogës.

Sekretari rajonal i sindikatës së policisë, Jérôme Retailleau, shprehu indinjatën e tij për mungesën e mbështetjes nga qeveria. “Ne kemi paralajmëruar prej më shumë se 10 vjetësh mbi reduktimin e numrit të punonjësve të policisë. Tani jemi në minimumin historik. Edhe disa reduktime të mëtejshme, dhe ne nuk do të jemi më në gjendje të funksionojmë si polici”- thotë ai.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, policia e Châteauroux kishte 200 punonjës, ose 2-fishi i asaj që ka tani në vitin 2021. Në qershor të vitit të kaluar, Ministri i Brendshëm Christophe Castaner, i siguroi politikanët lokalë se do të kishte një “zgjidhje” për mungesën e personelit.

Por muajin që pasoi ai u zëvendësua në detyrë nga Gérald Darmanin, dhe ky nuk u mor fare me premtimet e bëra nga paraardhësi i tij. Ajo që Collomb i referohej si “getotiizim” i këtyre qyteteve dhe qytezave, do të përkeqësohet akoma më shumë nga kufizimet e vendosura për shkak të Covid-19.

Gjithashtu, këto kufizime do ta zgjerojnë hendekun midis “atyre që kanë” dhe “atyre që nuk kanë” pas pandemisë, duke e bërë më të lehtë për bandat e drogës dhe islamikët ekstremistë që të rekrutojnë njerëz nga radhët e të rinjve të demoralizuar. Ky është virusi që kërcënon të ardhmen afatgjatë të Francës dhe Macron, ashtu si paraardhësit e tij në Elysée, ai nuk është më afër gjetjes së një vaksine.

Të ngjashme