OpEd
A duhet të ketë pritshmëri për privatësi në një zyrë shteti?
Demokracia
09:19 | 15 Korrik 2023

Share:

Shkruan: Ardian I. Bajraktari, avokat

Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara, elementet e kësaj vepre dhe çka synohet të mbron kjo vepër penale, është pyetje që u shtjellua ditëve të fundit, nga ekspertë dhe laikë, andaj, aspekti juridik është ende temë jo aq e qartë për disa opinionistë.

Fillimisht, e drejta e privatësisë, garantohet me instrumente ndërkombëtare, vlen të theksohet neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i cili garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës, pra janë këto katër fusha, të cilat afërsisht të tilla janë të përcaktuara edhe në nenin 36 të Kushtetutës tonë, e ndërhyrja eventuale në to, do të cilësohej cenim i kësaj të drejte, bazuar edhe në praktiken e Gjykatës Evropiane për të Drejtat të Njeriut.

Po ashtu vlen të bëhet dallimi, me qellim të sqarimit të shprehjeve përgjim dhe incizim.

Referuar dispozitave të Kodit të procedurës penale, shprehja “përgjim i telekomunikimeve dhe përdorimi i lexuesit, do të thotë përgjim i komunikimeve zanore, komunikimeve tekstuale ose komunikimeve tjera përmes rrjeteve të telefonive fikse apo mobile. Kjo përfshinë çfarëdo mjeti apo sistemi tjetër të ngjashëm teknologjik që bartë të dhëna që kryesisht kanë për qëllim të jenë private, pra një veprim i tillë për të qenë i ligjshëm, dhe për t’u konsideruar si provë e pranueshme në procedurë, duhet të jetë i autorizuar nga organi kompetent, përkatësisht gjykata, mungesa e një autorizimi të tillë, e bën të jetë incizim”.

Pra, në esencë veprimet teknike janë identike, por autorizimi përkatësisht mungesa e tij, si dhe nëse një veprim i tillë bëhet nga organet e autorizuara me ligj, apo bëhet nga individët e bën dallimin.

Përmes inkriminimit të cilësdo vepër penale, synohet mbrojtja e një vlere të caktuar shoqërore, p.sh. Me anë të veprës penale të vrasjes, synohet të mbrohet jeta e individit, apo përmes veprës penale të privimit të kundërligjshëm të lirisë synohet mbrojtja e lirisë së individit.

Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara janë vepër penale e përcaktuar në nenin 202, të Kodit penal, e cila hynë në kuadër të kapitullit XVII veprat penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut.

Referuar përshkrimit të veprës penale të fotografimit dhe incizimet tjera të paautorizuara, e cila ndër të tjera përcakton se:  “1. Kushdo që pa autorizim fotografon, filmon, incizon me video ose në ndonjë mënyrë tjetër incizon personin tjetër në banesën e tij personale ose në ndonjë vend tjetër ku personi ka pritje të arsyeshme për privatësi dhe në këtë mënyrë thelbësisht cenon privatësinë e tjetrit, dënohet me gjobë ose me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet. 2. Kushdo që pa autorizim ia kalon, shfaq apo i jep qasje personit të tretë në fotografinë, filmin, videokasetën apo ndonjë incizim tjetër të marrë në shkelje të paragrafit të këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet”.

Elementet dhe pasojat e kësaj vepre penale janë:

  1. mungesa e autorizimit për personin i cili e bën një veprim të tillë, përkatësisht fotografon, filmon apo incizon personin tjetër.
  2. fotografimi, filmimi apo incizimi bëhet në banesën e personit tjetër apo vendet ku personi tjetër ka pritshmëri për privatësi.
  3. Cenimi thelbësor i privatësisë së personit tjetër.

Pra, kushdo që ndërmerr këto veprime, e të cilat për pasojë kanë cenimin thelbësor të privatësisë së personit tjetër, dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vite.  Po ashtu, këtë vepër konsiderohet se e kryen kushdo që në mungesën e autorizimit, ia kalon, i shfaqë apo i jep qasje personit të tretë, këto materiale, edhe i njëjti dënohet po aq.

Çka synohet të mbrohet me anë të veprës penale fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara

Element mbrojtës i kësaj vepre penale është privatësia dhe jeta intime e personit tjetër. E privatësi njeriu ka në banesë përkatësisht shtëpinë e tij, si rregull, por ka disa përjashtime.

Mirëpo element që vlen të diskutohet përkatësisht sqarohet është togfjalëshi “ose në ndonjë vend tjetër ku personi ka pritje të arsyeshme për privatësi dhe në këtë mënyrë thelbësisht cenon privatësinë e tjetrit”.

Ky togfjalëshi për pritshmëri për privatësi, e i cili në të gjitha rastet duhet parë të ndërlidheur me cenimin e privatësisë dhe intimitetit të personit tjetër.

Po ashtu ky togfjalësh i referohet vendeve se ndonëse janë publike, ka pritshmëri për privatësi, (raste të tilla ku ka pritshmëri për privatësi, ceken në komentarin e Kodit penal, kur i referohet shpjegimit të elementeve të kësaj vepre) p.sh. WC-të publike, apo vendet e dedikuara për ndërrimin e gardërobave në dyqane, të cilat ndonëse janë vende publike, janë hapësira të mbyllura, me dedikim të veçantë, andaj rrjedhimisht është e logjikshme dhe legjitime pritshmëria për privatësi, ngase incizimi apo fotografimi në këto hapësira, shpërfaq apo cenon elemente të privatësisë, përkatësisht intimitetit.

Në zyrë, ambientet zyrtare dhe publike, nuk pre supozohet të ketë dikush pritshmëri legjitime për privatësi.

Ambientet zyrtare kanë pak pritshmëri privatësi

Në ambiente zyrtare, në institucione publike nuk ka e as nuk duhet të ketë pritshmëri të arsyeshme dhe legjitime për privatësi.

Kur komunikimi nuk është i natyrës personale, private dhe familjare  por është komunikim në suaza të komunikimit “normal” koordinues për çështje të interesit publik, bëhet me interes për publikun dhe nuk e lëndon intimitetin e palëve të përfshira në këtë komunikim.

Plasimi i një komunikimi në publik nuk do të cenonte thelbesisht privatësinë e personave të përfshirë në komunikim, kur tema apo çështja e trajtuar “intimisht” tejkalon interesin e atyre dy personave.

Këto rrethana e bëjnë të pa bazuar (absolutisht të pabazuar) çfarëdo pretendimi për ekzistimin, përkatësisht kryerjen e veprës penale të fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara, nga neni 202, paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal.

Filozofi Jurgen Habermas, me parafrazim, thotë: “Opinion publik do të thotë me u ditë të fshehtat e pushtetit”, rrjedhimisht qëllimi i medias së lirë si pushtet i katërt është ta njoftojë publikun me ato se çka bën pushteti, edhe brenda zyrave.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024