Lajme
Gjithçka që duhet të dini rreth zhvillimeve të javës që po lëmë pas
Demokracia
11:00 | 11 Korrik 2021
Foto Ilustrim

Share:

Java që po lëmë pas është karakterizuar me ngjarje të ndryshme në vend, rajon e botë nga të gjitha fushat. Demokracia.com në përmbledhjen javore ju sjell ngjarjet më të rëndësishme të këtyre shtatë ditëve.

Të hënën, në një intervistë për Demokracia.com, Kai Sauer ndan pikëpamjet e tij për Kosovën e rajonin, por edhe për BE-në.

Kai Sauer, që tani është Nën-Sekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, ka qenë edhe në disa role të rëndësishme në dhe për Kosovën. Ka qenë „dora e djathtë“ e Presidentit Ahtisaari në bisedimet në Vjenë nga të cilat ka dalë edhe pavarësia e Kosovës.

Përvoja e tij në UNMIK, në Prishtinë, dhe në rajon, më herët, kishte shërbyer shumë në këtë detyrë. Por, kontaktet me Kosovën i ka mbajtur edhe në detyrat tjera. Si shef i Misionit të Finlandës në Kombet e Bashkuara në New York, zyra e tij ka qenë zë i Kosovës në këtë institucion ku Kosova ende e kërkon ulësen. Por, Kai Sauer e ka në vëmendje Kosovën edhe sot. Tani kërkon si ta ndihmojë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, që të normalizojë marrëdhëniet me fqiun e vet verior, dhe të ecën shpejt dhe sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Kai Sauer: Mos u ngujoni në politika nacionaliste shkurt-pamëse

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dal me njoftim për media pasi Zoran Vukotiq u dënua, të hënën me 10 vjet burgim, i cili akuzohet për kryerjen e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se i akuzuari në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe pjesëtar të tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përcjell Demokracia.com.

Gjykata del me njoftim pas dënimit me 10 vjet burgim të serbit që dhunoi një grua në Vushtrri

Zoran Vukotiq u dënua të hënën, me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore. Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.

Një grua rreth të pesëdhjetave, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën.

Viktima e Vukotiq rrëfen tmerrin: Humba dy fëmijë, kam vuajtur shumë

Ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, nuk e ka mohuar raportimin e Demokracia.com se ky shtet pritet hap një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë. Megjithatë ka thënë se qëndrimi i tyre për njohjen e Kosovës nuk do të ndryshojë.

Në një intervistë për medien serbe Kurir, ambasadori spanjoll, Molina thotë se pozicioni i vendit të tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës është i fortë, i mbështetur plotësisht dhe është i pandryshueshëm edhe nëse Madridi zyrtar hap një zyrë në Prishtinë.

Ambasadori spanjoll në Beograd s’e mohon se Spanja do të hapë zyre ndërlidhëse në Prishtinë

Qytetarët të cilët kanë shkuar gjatë së martës që të imunizohen me dozën e parë kundër COVID-19, në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetor”, në Prishtinë iu është ofruar vetëm vaksina  “AstraZeneca”. Edhe pse ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka bërë e ditur se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin vaksinën në rastet kur qendra e vaksinimit ka dy ose më shumë lloje të vaksinave në dispozicion.  Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë duke u dhënë të dyja vaksinat.

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë qytetarët shkuan të vaksinoheshin me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, por atyre nuk iu u dha mundësia të zgjidhnin se cilën vaksinë mund ta marrin, e kjo bëri që disa prej tyre mos ta marrin këtë vaksinë fare.

Qytetarëve u ofrohet vetëm “AstraZeneca” në sallën “1 Tetorit”, ja çfarë thonë nga MSH-ja

Ish-gjenerali i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, të mërkurën ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes për Demokracia.com konfirmoi një ditë më parë se Clark  të mërkurën do të pritet nga ora 10:00 në ambientin e Ministrisë së Mbrojtjes me nderime të larta ushtarake nga FSK.

Gjenerali Clark sot në Kosovë, pritet me nderime të larta ushtarake nga FSK

Të mërkurën, Deputetet e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar Rezolutën, e cila dënon gjenocidin në Sebrenicë.

Rezoluta është miratuar me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, shkruan Demokracia.com

Kjo rezolutë dënon ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.

Përmbajtja e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

Delegacionet e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE kanë akuzuar njeri-tjetrin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura Kosovë-Serbi. Në Bruksel për dy ditë radhazi (të martën dhe të mërkurën)  u takuan delegacionet e Kosovës dhe Serbisë me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, por nuk u shënua asnjë përparim.

Të dyja palët akuzuan njera-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të deritashme. I ngarkuari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, diskutimet e delegacioneve në Bruksel që i zhvilloi edhe ndarasi edhe bashkë. Ai i quajti ato përmbajtësore. “Diskutime të gjera për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në  Twitter.

Asnjë përparim në takimin dy ditor Kosovë-Serbi në Bruksel

Më 17 tetor pritet që të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa partitë politike kanë filluar me zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë komunash. LVV është ajo që ende nuk ka bërë propozimet e saj, me arsyetimin se janë duke mbajtur zgjedhjeve të brendshme lidhur me këtë çështje. Analistët, për Demokracia.com tregojnë se sa mund të ndikojë kjo në rezultatet përfundimtare.

LVV ende pa asnjë kandidat për kryetar të komunave: Sa ndikon kjo në rezultatin përfundimtar?

Të enjtën, Kuvendi i Kosovës, më 64 vota për, ka shkarkuar anëtarët e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Deputetët e partive opozitare nuk morën pjesë në votim, raporton Demokracia.com.

Ndërsa, Bordi u shkarkua me rekomandimit të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Votimi u bë për secilin veç e veç, pasi siç tha kryeparlamentari Glauk Konjufca, “përgjegjësia e anëtarëve të bordit është individuale”, raporton Demokracia.com.

Kuvendi i Kosovës shkarkon Bordin e RTK-së

Muajin e kaluar Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen për lirimin e masave anti-COVID. Përveç lejimit të mbajtjes së ahengjeve dhe organizimeve tjera u hapën edhe pishinat me masat mbrojtëse sipas  rekomandimeve të IKSHPK-së.

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës për Demokracia.com tha se janë akoma në pritje të një takimi me ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me këtë çështje por se ende nuk kanë asnjë sinjal nëse do të bëhet ndonjë zhvillim në këtë aspekt.

Kur do të hapen klubet e natës? Flasin nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës

Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngritë raportet me Greqinë, si element i rëndësishëm për stabilitetit afatgjatë rajonal, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rë enjten, në takimin me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.

Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët, tha tutje kryeministri Kurti.

Kurti në takim të afërt me kryeministrin grek, i kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Tri aplikime janë bërë deri të premtën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga zëdhënësi i KQZ-se, Valmir Elezi i cili ka treguar se nga kush janë bërë aplikimet.

Elezi ka konfirmuar se Inicivativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për ceritifkim në zgjedhjet në Ferizaj, kjo pas debatit që u bë mes anëtarëve të këtij subjekti se do të garojnë së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje.

Tri aplikime në KQZ për certifikim, Lista Guxo në Ferizaj kërkon që të garojë pa LVV-në

 

Më 10 korrik, të shtunën, ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, ky afat do të jetë i hapur deri më 18 gusht 2021.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka dhënë detaje edhe rreth formës së aplikimit.

Nga sot diaspora mund të regjistrohet për të votuar, kështu bëhet aplikimi

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Një votim vendimtar dhe i rëndësishëm për vendin është edhe ai i diasporës. Afati për aplikim të votuesve jashtë vendit nis nesër deri më 18 gusht. Ndërsa për Demokracia.com flasin nga organizata GERMIN për ngecjet e zgjedhjeve të kaluara dhe mundësit e minimit të këtyre problemeve në zgjedhjet lokale.

Nesër nis aplikimi i diasporës për zgjedhjet e 17 tetorit, GERMIN flet për ngecjet e këtij procesi në vend

Ish-kryetari i PDK-së dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Kadri Veseli, ka arritur të shtunën, në Kosovë nga Haga, ku po mbahet në paraburgim.

Kjo vizitë e Veselit vjen vetëm disa ditë pas vdekjes së babait të tij, Fazli Veselit, kanë konfirmuar nga Gjykata Speciale për Demokracia.com.

Zëdhënësja Angela Griep ka thënë se Veselit i është lejuar vizita në Kosovë në mënyrë që të qëndrojë afër familjes së ngushtë.

Kadri Veseli arrin në Kosovë, nga Gjykata Speciale japin detaje për Demokracia.com

Të ngjashme