Intervista
Kai Sauer: Mos u ngujoni në politika nacionaliste shkurt-pamëse
Demokracia
12:12 | 05 Korrik 2021

Share:

Kai Sauer, që tani është Nën-Sekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, ka qenë edhe në disa role të rëndësishme në dhe për Kosovën. Ka qenë „dora e djathtë“ e Presidentit Ahtisaari në bisedimet në Vjenë nga të cilat ka dalë edhe pavarësia e Kosovës.

Përvoja e tij në UNMIK, në Prishtinë, dhe në rajon, më herët, kishte shërbyer shumë në këtë detyrë. Por, kontaktet me Kosovën i ka mbajtur edhe në detyrat tjera. Si shef i Misionit të Finlandës në Kombet e Bashkuara në New York, zyra e tij ka qenë zë i Kosovës në këtë institucion ku Kosova ende e kërkon ulësen. Por, Kai Sauer e ka në vëmendje Kosovën edhe sot. Tani kërkon si ta ndihmojë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, që të normalizojë marrëdhëniet me fqiun e vet verior, dhe të ecën shpejt dhe sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për Demokracia.com, Kai Sauer ndan pikëpamjet e tij për Kosovën e rajonin, por edhe për BE-në.

Demokracia.com: Si filluat të merreni me Kosovën?

Kai Sauer: Më herët kisha punuar në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci e në New York. Për shkak të kësaj, më ishte kërkuar që të shoqëroj PSSP-në e ri, ish-Kryeministrin e Finlandës, Harri Holkeri, në punën e tij të re në UNMIK. Ishte periudhë e vështirë për Kosovën pasi qasja “Standardet para statusit” nuk pranohej nga vendorët ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk ishte shumë e interesuar që të merrej me Kosovën.

Pika më e ulët në këto marrëdhënie u arrit në mars 2004 kur Kosova u kaplua nga trazira dhe u sulmua pakica serbe.

Po ashtu intervistën mund ta lexoni edhe në gjuhen angleze:

Kai Sauer: Don’t get stuck in nationalist short-sighted policies

Demokracia.com: Ju ishit “dora e djathtë” e Presidentit Ahtisaari në bisedimet për statusin e Kosovës? Çfarë përvoje ishte kjo?

Kai Sauer: Profesionalisht, ishte përvojë pozitive të punojë si bashkëpunëtor i një negociatori të paqes, me përvojë, dhe ish-president. Gjithashtu, ekipi ishte plot talentë. Kishim kolegë të shkëlqyer që përfaqësonin qeveri dhe institucione të ndryshme. Zëvendësi i Ahtisaarit, ambasadori Albert Rohan, meriton lavdata të veçanta. Ai ishte “ligë” në vete si njohës i rajonit. Produkti që po draftonim ne ishte kompleks dhe gjithëpërfshirës, që kërkonte proces të konsultimeve të gjëra e të thukta. Nuk kam udhëtuar asnjëherë në jetë aq shumë sa gjatë kohës që kam punuar me Ahtisaarin.

Demokracia.com: Si ishte procesi? Cilat ishin pikat më të larta dhe më të ulta?

Kai Sauer: Këto procese zakonisht ndjekin një model të ngjashëm. E para është faza përgatitore kur bëni bashkë ekipin dhe bëni konsultimet me palët dhe hisedarët kryesorë. Pastaj hyni në fazën e negociatave, që zakonisht merr shumë kohë dhe është shumë intensive. Në fund vjen faza e “marketingut dhe shpalosjes” kur produkti i prezantohet bashkësisë ndërkombëtare.

Kishte shumë pika “të larta” pasi vet Ahtisaari ishte lider inspirues dhe inkurajues. Shumë kolegë nga Kombet e Bashkuara e pranonin se asnjëherë nuk kanë punuar me një epror aq të afërt e të qasshëm. Ndoshta KB dhe Finlanda paraqesin dy pole të kundërta kur është fjala për kulturën e hierarkisë në vendin e punës.

Procesi koincidoi me tranzicion në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur Kofi Annan e përfundoi mandatin e tij ndërsa postin e mori Ban Ki-moon. Të dy e mbështetnin plotësisht punën tonë, por Ban Ki-moon ndoshta është ndjerë i befasuar kur Plani i Ahtisaarit nuk u pranua nga i tërë Këshilli i Sigurimit.

Ndër pikat “e larta” ishte edhe përkushtimi i shumë institucioneve ndërkombëtare që të ofrojnë ekspertizën e tyre për këtë përpjekje të përbashkët. Plani i Ahtisaarit ishte ndërmarrje e përbashkët që përmbante kontributet jo vetëm nga Kombet e Bashkuara por edhe nga BE, nga NATO, UNESCO, OSBE dhe Komisioni i Venecias, t’i përmendi vetëm disa.

Kishte pak pika “të ulëta”, ndoshta vetëm një, por një vërtetë e ultë. E kam fjalën për faktin që Këshilli i Sigurimit i KB nuk e miratoi propozimin e Ahtisaarit për shkak të refuzimit të Rusisë.

E mira tjetër erdh më 2008 kur Presidenti Ahtisaari mori çmimin Nobel për paqe. Besoj që i tërë ekipi u ndje krenar për këtë.

Demokracia.com: Çfarë përvoje ishte për ty personalisht? Çfarë shpresoje dhe çfarë të frikësonte?

Kai Sauer: Të merreshe me portofolin e Kosovës ishte përvojë interesante dhe pasuruese që ka pasur ndikim të madh në jetën time profesionale. Jam i lumtur të shoh që Kosova ka bërë shumë progres në këto 20 vitet e fundit. Institucionet janë bërë më të fuqishme dhe ka rritje ekonomike. Pra, do thosha se gota është gjysmë e mbushur. Dhe shpresoj që ky progres do të vazhdojë.

Në anën tjetër ka ende punë të papërfunduara. Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të jetojnë pranë njëra tjetrës, si fqinj të barabartë. Siç ka thënë ish-Presidenti finlandez, J. K. Paaskivi, “gjeografia nuk mund të ndryshohet”. Pra, duhet të pranonin disa fakte dhe të veproni në përputhje me këto.

Gjithashtu, BE dhe SHBA duhet të ri-fokusojnë, deri në nivelin më të lartë, vëmendjen politike për rajonin.

Pra, thënë me një fjalë, frika ime është se Kosova dhe Serbia do të bëhen “të burgosur” të politikave nacionaliste shkurt-pamëse dhe të inercisë ndërkombëtare.

Demokracia.com: Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës. Kosova është shtet i pavarur për më shumë se një dekadë. Si ju duket Kosova sot?

Kai Sauer: Kosova duket se po kalon një tranzicion politik. Si edhe në shumë vende tjera, edhe në Kosovë establishmenti i vjetër politik u ka lëshuar rrugë forcave të reja politike që tani kanë përgjegjësinë që të përmbushin detyrimet. Dëshirë e imja është që derisa i adresojnë të gjitha sfidat e brendshme, synim kryesor i politikës së jashtme të Kosovës të mbetet angazhimi në dialogun me Serbinë që udhëhiqet nga BE.

Demokracia.com: Konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar shumë në dy dekadat e fundit. Jo të gjitha ndryshimet janë në dobi të Kosovës. Në çfarë konteksti ndërkombëtar e gjen veten Kosova sot?

Kai Sauer: Është e vërtetë që bota ka ndryshuar. Kemi sfida globale siç është ngrohja globale, pandemia dhe migrimi. Në shumë fusha Këshilli i Sigurimit i KB nuk është në gjendje të jap rezultate. Nëse shikon më gjerë, e sheh që ka mangësi në respektimin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në ligje, për multilaterizëm dhe për të drejtat e njeriut.

Po ndryshon edhe natyra e agresionit, siç kemi parë në rastin e shtimit të sulmeve kibernetike dhe aktiviteteve hibride.

T’u kundërvihesh dhe t’u rezistosh këtyre sfidave kërkon shoqëri të bashkuar dhe paepur.

Prandaj është kohë e vështirë qoftë për vendet e vogla apo të mëdha, që të jenë të vetmuara dhe të veprojnë unilateralisht. Duhet të punojmë me fqinjët tonë si dhe me partnerët rajonalë e global që të gjejmë zgjidhje.

Demokracia.com: Si e shihni të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit?

Kai Sauer: Kosova ka popullsi të re ndërsa popullata në Evropën Perëndimore është gjithnjë e më e moshuar. Kjo mund të sjellë dobi për të dyja palët. Në anën tjetër nuk do të dëshironit të humbni një gjeneratë të tërë të të rinjve si emigrantë – e as ne nuk mund t’i absorbojmë të gjithë. Duhet krijuar kushte që këta të gjejnë punë edhe në Kosovë. Për më tepër, këta duhet të jenë në gjendje të gjejnë punë edhe në rajon.

Duhet shtuar përpjekjet për të promovuar integrimin ekonomik e qytetar të rajonit dhe në këto bisedime Kosova duhet të ketë ulëse të barabartë. Shtetet nordike janë shembull i mirë për këtë. Këto kishin krijuar union të pasaportave qysh më 1950.

Demokracia.com: BE më nuk flet për zgjerim. Ndonëse “Perspektiva Europiane” mbetet një mantra që përsëritet vazhdimisht, ka gjithnjë e më shumë njerëz që mendojnë që kjo mantra nuk e thotë të vërtetën. Si e shihni raportin mes Kosovës dhe BE-së, në çfarë drejtimi po zhvillohet ky? Po marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së?

Kai Sauer: Nga aspekti historik e kulturor, Kosova dhe i tërë rajoni e kanë vendin në Europë. Megjithatë, BE është komunitet i vlerave dhe vetëm gjeografia nuk mjafton që të kualifikohesh për anëtarësim në BE. Për të hyrë në BE çelësi është përmbushja e kritereve. Vendi im ka bërë gjithçka që t’i përmbush kërkesat për BE – deri në pikën e fundit – që të pranohet më 1995. Shpresoj që vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë të bëhen anëtare konstruktive të BE-së. Në këtë proces edhe BE duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos i ndryshojë kriteret.

Të ngjashme