Deklarata e kryediplomatit grek, Nikos Dendias lidhur me Kosovën, ku tha se pozicioni i shtetit të cilin ai e përfaqëson nuk ka ndryshuar, por shtoi se pavarësia e shtetit kosovar nuk shkel ligjin ndërkombëtar, ka nxitur shumë reagime. Mediat greke tani veç se kanë ngritur pikëpyetjet se a po shkon Greqia drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Analisti gjeostrategjik Efthymoius Petrou për mediat greke ka thënë se nuk përjashtohet se një gjë e tillë mund të ndodhë, përcjell Demokracia.com.
“Meqenëse nuk është refuzuar pa mëdyshje nga Z. Dendias, mundësia e njohjes mbetet e hapur. Unë nuk e përjashtoj atë”, tha ai.
Sipas analistit Petrou, ekziston një mundësi që “NATO qëndron prapa një presioni ndaj Greqisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
“Është një politikë e NATO-s që t’i përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Nëse disa vende, si Greqia, nuk e njohin këtë, atëherë ky proces nuk mund të vazhdojë”, ka thënë ai”, tha ai.
Christodoulos Giallouridis, një profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Panteion në Athinë, shprehu pikëpamjen se Greqia nuk do ta njohë Kosovën, përcjell Demokracia.com.
“Nuk ka dobi që Greqia ta njohë atë, sepse atëherë ajo do të ndërpresë marrëdhëniet e saj tradicionale miqësore me Serbinë. Nëse vazhdon me njohjen, atëherë ka shumë të ngjarë që Serbia të njohë pseudo-shtetin e Qipros si hakmarrje”, theksoi ai.
Vlen të theksohet se ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, gjatë muajit qershor vizitoi Kosovën.
Ndërkaq, Demokracia.com kohë më parë ka raportuar se Greqia është e gatshme të rrisë nivelin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën.
Greqia nuk është gati të njoh Kosovën, por vetëm të ngrejë nivelin e marrëdhënieve bilaterale