Lajme
Shenjat e rrugës ‘Nekibe Kelmendi’ në Prishtinë nisin të zhduken pak ditë pas përurimit
Demokracia
15:45 | 01 Dhjetor 2024

Share:

Pak më shumë se një muaj pas përurimit të rrugës “Nekibe Kelmendi” në Veternik, Komuna e Prishtinës shihet se ka vendosur cilësinë e dobët të shenjëzimit horizontal në këtë segment rrugor. Demokracia.com ka vërejtur se vijat e kuqe të dedikuara për korsinë e biçikletave kanë filluar të zbehen vetëm disa ditë pas përfundimit të punimeve, duke ngritur shqetësime për standardet e ndjekura gjatë procesit të realizimit.

Më 22 tetor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, preu shiritin për hapjen e kësaj rruge prej 1.7 kilometrash. Ky segment u shpall zyrtarisht i përfunduar në një ceremoni të madhe ku morën pjesë zyrtarë të shumtë të komunës dhe të LDK-së. Promovimi i projektit u pasua me njoftime të shumta në rrjetet sociale nga ana e përfaqësuesve të komunës, duke theksuar rëndësinë dhe cilësinë e investimit.

Megjithatë, fotografitë e realizuara nga Demokracia.com para dhjetë ditësh tregojnë një realitet ndryshe. Shenjëzimi horizontal, veçanërisht ai i vijave mbi asfalt për biçikletat, ka nisur të zhduket, duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë dhe cilësinë e punimeve. Ky problem ka ngritur dyshime mbi kontraktorët dhe materialet e përdorura për realizimin e këtij segmenti rrugor.

Për më tepër, pas përurimit, komuna ka lidhur një kontratë shtesë për disa punë plotësuese në këtë rrugë.

Demokracia.com raportoi ditë më parë se Rama, i cili jeton në këtë zonë, ishte personalisht në vendngjarje për të prerë shiritin e hapjes dhe më pas postoi një video në Facebook, ku deklaroi: “Jemi sot në rrugën Nekibe Kelmendi, ku po përurojmë përfundimin e punimeve të mrekullueshme që janë bërë në këtë pjesë të kryeqytetit”.

Në video pranë Ramës u shfaq edhe Krenar Xhaferi, Drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, i cili theksoi: Kjo rrugë është realizuar 120 ditë para planit dinamik, i jep zhvillim Prishtinës së re dhe lehtëson qarkullimin”, tha Xhaferi.

Megjithatë, vetëm një ditë pas shpalljes së përfundimit të rrugës, zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës publikoi një dokument në platformën E-prokurimi, ku zbuloi një aneks-kontratë me kompaninë “Lika”, e cila po punon në këtë rrugë, për punë shtesë në vlerë prej 89,081 eurosh. Kontrata është nënshkruar dje. (KETU)

Kjo kontratë u lidh pa tender të ri, por përmes negocimit.

Punët shtesë përfshijnë:

  • Demolime – 1 pozicion, 1000 euro.
  • Punë dheu – 2 pozicione me vlerë 45 mijë euro
  • Tamponim – 1 pozicion me vlerë 17 mijë euro
  • Punë betoni dhe betonarmaturë – 1 pozicion me vlerë 10 mijë euro
  • Pilota – 2 pozicione me vlerë 15 mijë euro.

Pas “përfundimit” të rrugës, del se ka ende punë për të bërë dhe ato do u kushtojnë qytetarëve pothuajse 90 mijë euro më shumë.

Kontrata fillestare ka qenë 947, 783, 75 euro, që i bie se punët shtesë kanë dalë në kuotën prej rreth 9.40% të vlerës së kontratës bazë.

Pra, është thuajse në pikën e tavanit, pasi ato lejohen të miratohen maksimumi deri në 10 për qind të kontratës bazë.

Demokracia.com kishte raportuar se Komuna e Prishtinës kishte rekomanduar për kontratë në mesin e tri ofertave, grupin e kompanive “Lika Trade” shpk & “Lika Company”. Vlera e ofertës së këtij grupi ka qenë 947, 783, 75 euro ose rreth 2000 euro më e lirë se e kompanisë “Bageri”. Kriter kryesor për dhënie të kontratës nuk ka qenë çmimi më i ulët, por “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, çka do të thotë se pos çmimit, me pikë njëjtë është vlerësuar plani dinamik dhe garancia.

Kompanitë janë në pronësi të biznesmenëve Lika, përkatësisht Sali, Fadil e Jahir Lika.

Një i afërm i tyre, biznesmeni i njohur Esat Lika e ka një kompani të tillë edhe në Zvicër.

Demokracia.com kishte raportuar se pesë ditë para se të shpallej fituesi, kryetari i Prishtinës kishte njoftuar se është takuar edhe me Esat Likën, pronarin e Lika Holding AG. Rama kishte thënë se më të kanë diskutuar për mundësitë e investimit dhe zhvillimit të projekteve në kryeqytet.

“Në vazhdën e takimeve me investitorë potencial, sot pata kënaqësi të pres arkitektin e mirënjohur botëror Marco Casamonti bashkë me përfaqësuesit e Lika Holding AG, një kompani e suksesshme që operon në Zvicër, themeluar dhe menaxhuar nga z. Esat Likaj. Pas organizimit të Konferencës së Investitorëve në janar të këtij viti, shumë investitorë kanë shprehur gatishmëri të investojnë dhe të bëjnë projekte zhvillimore në Kryeqytet. Në këtë kontekst, me Marcon dhe përfaqësuesit e Lika Holding AG diskutuam mundësitë e investimit dhe zhvillimit të projekteve në Kryeqytet. Përveç zhvillimit të Kryeqytetit, iniciativat sikur kjo synojnë avancimin e bashkëpunimit me diasporën tonë dhe krijimit të kushteve për investim të kapitalit të diasporës në Kosovë”, ka shkruar kryetari Përparim Rama.

Rama ka marrëdhënie të mirë shoqërore edhe më ish-ministrin Armend Mehaj. Bazuar në fotografitë e publikuara, Mehaj e Rama janë takuar në Norvegji para pak muajsh.

Ish-ministri Mehaj i ka nipa biznesmenët Lika.

Kur flitet për punë shtesë që dalin gjatë realizimit të një projekti rrugor, siç janë demolimi, punët e dheut, tamponi, betoni dhe pilotat, zakonisht këto punë dalin për shkak të situatave të paparashikuara ose ndryshimeve në planet fillestare. Këto punë shtesë, që përbëjnë rreth 9.40% të vlerës së kontratës bazë, tregojnë se projekti nuk është ekzekutuar plotësisht sipas parametrave të parashikuar në fillim, ose nuk janë vlerësuar si duhet disa aspekte gjatë fazës së dizajnimit.

Për një rrugë të rrafshët, shtimi i punëve shtesë në një përqindje të tillë nuk është plotësisht i pazakontë, por mund të ngrejë disa dyshime:

  1. Planifikimi fillestar: Nëse punët shtesë përfshijnë elementë si demolimi dhe punët e dheut, ka të ngjarë që plani fillestar të mos ketë marrë parasysh kushtet reale të terrenit ose infrastruktura ekzistuese.
  2. Llogaritjet teknike: Tamponi dhe betoni mund të nënkuptojnë se struktura e rrugës ka nevojë për stabilizim shtesë, gjë që nuk është vlerësuar me saktësi në fillim.
  3. Punët me pilotat: Këto përdoren zakonisht për të stabilizuar struktura në terrene më problematike, duke sugjeruar se kushtet e terrenit mund të jenë nënvlerësuar ose ndryshuar gjatë procesit.

A është normale kjo për një rrugë të rrafshët, siç është Nekibe Kelmendi? Për një rrugë të rrafshët, shtimi i 10% në punë shtesë është relativisht i lartë. Kjo mund të lidhet me ndryshime teknike të paplanifikuara që kanë dalë gjatë ndërtimit. Megjithatë, nëse këto ndryshime ishin të parashikueshme dhe nuk u përfshin në projekt, atëherë kjo tregon për dobësi në planifikimin ose vlerësimin fillestar.

Në raste të tilla është e rëndësishme të shqyrtohet sa mirë është bërë studimi fillestar dhe nëse ka pasur mangësi që kanë çuar në këto punë shtesë.

Rruga “Nekibe Kelmendi” për vite me radhë ka qenë në gjendje shumë të keqe dhe asfaltimi ka qenë një kërkesë e hershme e banorëve të zonës. Megjithatë, duket se ndërtimi i rrugës është bërë më i realizueshëm pas vendosjes për të banuar në atë zonë të kryetarit Përparim Rama, i cili jeton aty që rreth dy vjet. Një tjetër faktor është përfshirja e kontraktorit, “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, Astrit Nixha, që gjithashtu ka një shtëpi në atë lagje dhe është mik i ngushtë i kryetarit Rama./Demokracia.com/

Të ngjashme