Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është duke e prolonguar qëllimisht procesin e tenderit për furnizimin me mazut, duke favorizuar një kontraktor të lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje. Ky veprim është pasuar nga një kontratë emergjente e lidhur me kompaninë “EX-Fis”, e cila tashmë është e njohur për lidhjet e saj me partinë e Albin Kurtit, shkruan Demokracia.com.
Më 19 janar 2023, KEK shpalli një tender për “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazutë Fuel Oil 1.0%” me një kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe një vlerë të parashikuar prej 6,650,000 euro. Fillimisht, kompania “EX-Fis” u rekomandua për kontratë, por menjëherë pas kësaj, kompania tjetër garuese, “Patroni”, ankoi KEK-un, duke pretenduar se kompania e rekomanduar nuk kishte plotësuar kushtet e tenderit.
KEK-u shqyrtoi ankesën dhe e ktheu për rivlerësim, por përsëri rekomandoi për kontratë kompaninë “EX-Fis”.
Më pas, “Patroni” ankohet në OSHP në muajin qershor me pretendimin se “Ex Fis” është ofertues që nuk i ka përbushur kërkesat. Ky institucion ka rekomanduar një ekspert për të shqyrtuar provat, por ende nuk ka dalë me një raport përfundimtar.
Në ndërkohë, KEK-u ka mbetur pa mazut dhe ka lidhur një kontratë me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë me kompaninë “EX-Fis”, duke ftuar vetëm këtë kompani në negociata. Vlera e kontratës për një muaj ka qenë 722,000 euro dhe pritet të skadojë së shpejti. KEK-u ka gjasa të lidhë një tjetër kontratë me negocim me këtë operator.
Kompania “EX-Fis” është kontraktor i rregullt i partisë së Albin Kurtit, ku automjetet partiake furnizohen me derivate në pikat e pompave të saj. Të dhënat e shpenzimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për periudhën 2020-2023, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga “EX-Fis” me një vlerë prej 75,000 euro gjatë këtyre katër viteve.
Shpenzimet e Lëvizjes Vetëvendosje për derivate nga “EX-Fis”:
2023: 19,236.56 euro
- 2022: 19,708.94 euro
- 2021: 8,790.04 euro
- 2020: Dy pagesa nga 13,863.52 euro.
Në vijim, mund të shihni ankesën e bërë në OSHP që përmban pretendime se “EX-Fis” nuk ka përmbushur kushtet e tenderit në tenderin e hapur të vlerës 6.6 milionë euro: KETU. /Demokracia.com/