Dëshmitë janë të shumta dhe ato vërehen në diskursin e përditshëm të Albin Kurtit, i cili gjatë 3 viteve të mandatit të tij si Kryeministër i Kosovës është përballur me të kaluarën e tij skandaloze.
Si askush tjetër në historinë politike nuk ka vuajtur kaq shumë sa Albin Kurti nga e kaluara e tij politike. Në çdo hap që ka hedhur kryeminisitri Kurti është shfaqur menjëherë opozitari Kurti, shkruan Demokracia.com.
Në tri vitet e mandatit të tij, Albin Kurti ka zhvilluar një betejë të madhe edhe me të kaluarën e tij skandaloze kundër shtetit të Kosovës.
Kryeministrin Kurti po e ndjekë pas, si një hije në ditën me diell, opozitarizmi i tij i dhunshëm deri në mohim të lirisë dhe shtetit të Kosovës.
Demokracia.com sjell në vazhdim disa nga këto qëndrime që paraqesin anën e errët të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Në këtë listë të qëndrimeve, përfshihen vetëm temat e mëdha, jo edhe qëndrimet ditore për tema periferike.
2010 – KURTI: NATO KA NDËRHYRË PËR INTERESA TË MILLOSHEVIQIT NË KOSOVË
“Në ditën e 25-vjetorit të përfundimit të fushatës së NATO-s që ndali spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe në kuadër të nisjes së aktiviteteve në shënimin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti…”.
Kështu niset njoftimi i Qeverisë së Kosovës për takimin e kryeministrit Kurti me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, i cili kishte luajtur rol kyç që NATO të bombardonte Serbinë dhe të mbronte shqiptarët e Kosovës.
Njoftimi i Qeverisë së Kosovës mban datën 10 qershor 2024.
Por, vetëm 14 vite më herët, më 2 qershor 2010, opozitari Albin Kurti mbante një qëndrim jo vetëm skandaloz, por edhe antikombëtar për ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimin e Serbisë.
Partia e Kurtit, Vetëvendosje, kishte shpërndarë komunikatën me titull “Për çfarë ka ndërhyrë NATO në Kosovë?!
Përgjigjet e partisë së Kurtit janë shokuese.
Kurti dhe Vetëvendosje shkonin deri aty sa përforconin qëndrimin e tyre kundër intervenimit të NATO-s, duke cituar një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, i cili kishte shkruar ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”. Aty, Arsenijevic, sipas citatit të përmendur nga Vetëvendosje, thotë se: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcojë kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121)”, thuhej mes tjerash në komunikatën e VV-së, përcjell Demokracia.com.
Lexo qëndrimin e plotë të Kurtit më 2010:
18 SHKURT 2008 – KURTI DHE VETËVENDOSJE NUK FESTOJNË PAVARËSINË E KOSOVËS
“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë, sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”.
Kështu deklaronte në muajin shkurt të vitit 2024, në prag të shënimit të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti do të kishte vlerën e saj, nëse nuk do shfaqej sërish dhe shpejtë edhe opozitari Kurti, ashtu si në çdo gjë tjetër.
Është e ditur se janë me fat njerëzit e një kombi që jetojnë në kohën kur vendi i tyre shpallë pavarësinë nga një pushtim i gjatë.
Por, kështu nuk ishte për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që 17 shkurtit 2008 nuk i ishin gëzuar aspak, shkruan Demokracia.com.
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk iu gëzuan aktit më të madh që deri më tani njeh historia njerëzore: themelimin e shtetit.
Shkrimet e asaj kohe dhe intervistat në media të Albin Kurtit, tregojnë anën e errët të aktivitetit të tij politik. Madje, shtetin, himnin dhe flamurin e Kosovës e përbuzën deri në ditën kur erdhën në pushtet.
“Kosova shpall pavarësinë e saj – Vetëvendosje nuk feston”, është titulli i gazetës “Koha Ditore”, e cila asokohe më 17 shkurt 2008 kishte qëndruar në selinë e këtij subjekti politik, në lagjen Pejton, dhe kishte sjellur këtë reportazh që duket e pabesueshme se vjen nga kryeqyteti i Kosovës – Prishtina.
“Për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, dita e diel ka qenë ditë e zakonshme. Ata nuk kanë festuar, duke thënë se nuk kanë për çka të festojnë. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës nuk janë duke e ditur se çfarë po festojnë”, thuhet në këtë artikull të publikuar më 18 shkurt 2008.
Lexo më shumë:
Ana e errët e Albin Kurtit | Nuk e festoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (Video & Dokumente)
“20 VJEÇARI SHKATËRRIMTAR”, PROPAGANDA QË HUMBI SHPRESËN E KOSOVARËVE
“Nëse është dikush afër humbjes së shpresës se ka edhe të tillë, nuk ndihmon t’ju themi se po e humbin shpresën. Është e rëndësishme edhe ky aspekt”.
Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhënë më 30 mars 2023 në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, si i ftuar në dyvjetorin e mandatit të tij qeverisës, derisa drejtuesi i emisionit po i lexonte statistikat e tmerrshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova drejt perëndimit.
Ky qëndrim i kryeministrit Kurti do të kishte fuqinë e madhe nëse sërish nuk do të shfaqej opozitari Kurti me këmbënguljen e madhe.
Pikërisht, Kurti dhe partia e tij përdornin diskursin që rrënonte shpresën.
“Qytetarët nuk po ikin nga Kosova, por nga varfëria, sepse kjo qeveri ua ka bërë jetën të pajetueshme dhe të pashpresë në këtë vend. Kjo qeveri duhet të ikë, në mënyrë që të kthehet shpresa, e të kthehen qytetarët”, thuhej në njërn nga qëndrimet e Kurtit dhe Vetëvendosjes, vetëm pak muaj para ardhjes së tyre në pushtet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nuk kishte kursyer asnjë metodë në luftën e tij për pushtet, duke kaluar edhe kufijtë e normales, po përballet me gjendjen të cilën ai e kishte përkufizuar edhe përtej normales dhe realitetit.
Madje, edhe përpjekjet e tij për të përmbysur diskursin e ngulitur thellë në shoqërinë kosovare për “20 vjeçarin shkatërrimtar” të pasluftës në Kosovë, po duken krejtësisht qesharake. /Demokracia.com/
Lexo më shumë: