Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka prezantuar disa të dhëna që, sipas saj, janë të arriturat e dikasterit që drejton ajo për tri vjet qeverisje.
Liberalizimin e vizave ajo e cilëson si sukses të saj, ndonëse të gjitha kriteret ishin plotësuar para se Qeveria Kurti të vinte në pushtet, shkruan Demokracia.com.
Këto tri vite në qeverisje, Gërvalla që skandalet i kishte jashtëzakonisht të shpeshta, është munduar t’i cilësojë të suksesshme me postimin e saj në Facebook.
KOSOVA PA ASNJË NJOHJE NËN QEVERISJEN KURTI
Qeveria Kurti ishte ardhur në pushtet me zotime të mëdha për politikën e jashtme, duke u zotuar edhe për njohje të reja.
Madje, deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, në vitin 2020 kishte shkruar një status ku pretendonte se një njohje në vit është pak për Kosovën.
Në 3 vite prej që ka ardhur në pushtet Qeveria Kurti, Kosova s’ka pranuar asnjë njohje.
Njohja e fundit është nga shteti i Izraelit, e cila kishte ardhur në kohën e Qeverisë Hoti.
LEXO MË SHUMË:
Tre vjet, asnjë njohje: Dikur VV-ja ankohej se një njohje në vit ishte pak
KOSOVA NËN MASA NDËSHKUESE TË BE-SË
Kosova që disa muaj është nën sanksione të BE-së për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti.
Nën sanksione, Kosova pranoi të zbatoi Marrëveshjen e Brukselit, ku përfshihet edhe “Zajednica” e famshme.
Përkundër se situata në veri duket më e qetë pas sulmit terrorist të 24-shtatorit, sanksionet nuk po i hiqen Kosovës dhe as nuk po i vendosen Serbisë, si përgjegjëse për sulmin.
Kosova asnjëherë më herët nuk ka qenë e ndëshkuar me masa nga BE-ja. /Demokracia.com/