Një kompani e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës me mbi 10 milionë euro për konsulencë arkitektonike, po funksionon si sistem paralel i Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
“Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit SH.P.K.” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës më 27 qershor 2023, si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara. Pronarë të saj janë ANARCH SH.P.K. dhe Ardi CC L.L.C. E para është në pronësi të Astrit Nixhës, e dyta në emër të Albi Shita. Kjo kompani në vitin e kaluar ka dalë fituese e tenderit që quhet “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.
Kësaj kompanie private, Komuna e Prishtinës po ia delegon edhe punët e veta zyrtare.
Demokracia.com ka parë sot duke punuar një kamion të kësaj kompanie. Logoja e shkruar në të duket sikur të jetë vetë Komuna e Prishtinës. Aty është shkruar Komuna e Prishtinës dhe poshtë saj menjëherë ‘Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit’. Më poshtë është shënuar edhe “PROJEKTI PRISHTINA 2030. Rehabilitimi i Infrastrukturës, Hulumtime Gjeomekanike, Unikos Project”. Pra, nga paraqitja e logos, Komuna e Prishtinës dhe kompania private duken si një përfaqësues, të cilat e kanë kontraktuar një kompani private për të bërë hulumtime gjeomekanike.
Kompanitë e kontraktura nuk përfaqësohen asnjëherë kështu. Në kushte normale do të duhej të ishte edhe numri i prokurimit të kontratës dhe kompania private nuk mund të bëhet njësh me institucionin. Pastaj, emri i kompanisë “Unicos” nuk ka qenë i paraqitur si kompani në konzorcium tek Arkitekti Kryeqytetit.
Po ashtu, në kontrata tek pika e çmimeve, nuk ka paramasë dhe kompania private 10 milionëshe prezantohet si Komuna Prishtinës për testime gjeomekanike.
Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se Kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, e cila një prej drejtuesve kryesor e ka arkitektin Astrit Nixha është autorizuar nga Komuna e Prishtinës që të realizojë tender në emrin e saj.
Mbetet shumë diskutabile nëse kjo formë është ligjore apo jo.
Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka hapur dy konkurse ndërkombëtare për koncept-dizajn të çerdhe-kopshteve në lagjen Kolovicë dhe Mati 1 dhe për këtë ka njoftuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama ka bërë të ditur se “konkurset janë në formën e një gare dizajni, si forma më tipike e konkurseve për dizajne arkitekturore”.
“Aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë dhe çdo kandidat do të dorëzojë numër të pakufizuar dizajnesh. Çdo krijim i tij duhet të jetë origjinal dhe veçanërisht i konceptuar për këtë konkurs. Regjistrimi për t’u bërë pjesë e konkursit do të jetë i hapur deri më datë 17 janar 2024. Dorëzimi i aplikimeve do të pasohet nga vlerësimi i jurisë, prezantimi i punëve, pra i koncept-dizajneve dhe më 31 mars do të bëhet shpallja e rezultateve, gjegjësisht fituesve të këtyre konkurseve”, ka shkruar kryetari Rama.
Demokracia.com është në pritje të një opinioni sqarues nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të mësuar nëse është ligjore apo jo që firmat private të organizojnë tender publik në emër të komunës. Lidhur me këtë, Demokracia.com i ka parashtruar një varg pyetjesh KRPP-së, por akoma nuk ka marrë përgjigje.
Nga ana tjetër, para pak ditëve, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit dhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi përmes të cilit synohet përfshirja e profesionistëve të dëshmuar dhe atyre të rinj në procesin transformues të kryeqytetit.
Siç thuhet në memorandum, ai ka për qëllim ngritjen e profesionistëve në nivel vendimmarrës për projektet e rëndësishme të qytetit, krijimin e lehtësirave për t’u bërë pjesë e konkurseve dhe zhvillimin e bashkëpunimit në rrafshin e angazhimit profesional.
Pra, siç shihet edhe në këtë rast, kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ka ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Prishtinës, duke nënshkruar memorandume me një organizatë që synon të përfshihet në projektet komunale.
Kjo pos që mund të jetë shkelje e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, është edhe e Ligjit për Prokurimin Publik.
Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, kur kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” kishte lidhur kontratë, nuk e ka pasur si nënkontraktor Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, i cili do mund të kryente punë për kompaninë, por jo edhe duke u përzier në kompetencat komunale.
Kur Komuna e Prishtinës kishte lidhur kontratë me “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ishin shfaqur dyshime për favorizime të mëdha ndaj kompanisë kontraktuese. Madje, dyshimet kanë rënë edhe mbi Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili i kishte dhënë të drejtë komunës që të nënshkruajë kontratë më kompaninë. /Demokracia.com/
Lexo edhe: