Lajme
DOKUMENTE | Kontraktori i “Arkitektit të Kryeqytetit” bashkëpunëtor i kompanisë së kryetarit Përparim Rama te projekti i dështuar në Lakrishte
Demokracia
18:31 | 23 Janar 2024

Share:

Komuna e Prishtinës para pak muajve ka lidhur kontratë trevjeçare mbi 10 milionë euro me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit. Bartës i konzorciumit është kompania e arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K, ndërsa anëtar i konzorciumit është edhe kompania Ardi CC L.L.C. Demokracia.com ka pasur qasje në ofertën e tenderit të realizuar nga Komuna e Prishtinës dhe aty shihet se kompania e Nixhës ka qenë bashkëpunëtore në një projekt më kompaninë e kryetarit Përparim Rama, “4M group”.

Sikur zakonisht gjatë ofertimit, Komuna e Prishtinës edhe për këtë tender kishte kërkuar që kompanitë të paraqesin referenca për punët e ngjashme të kryera në fushën e arkitekturës.

Demokracia.com ka gjetur se “ANARCH” SH.P.K. ka paraqitur një referencë për një kontratë që ka qenë e dështuar. Madje, në atë referencë, si bashkëpunëtore e ka paraqitur edhe vetë kompaninë e kryetarit Përparim Rama.

Ditë më parë, Demokracia.com ka realizuar të drejtën për qasje në dokumente publike lidhur me komplet ofertat garuese për tenderin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.

Nga dokumentet e ofruara, te kërkesat për paraqitje të referencave, kompania fituese e Astrit Nixhës e ka paraqitur si referencë edhe projektin për ndërtimin e objektit të njohur si 42-katshi në lagjen “Lakrishte”, i cili ka filluar të ndërtohet para shumë viteve dhe akoma nuk ka përfunduar.

Referenca e ka emrin “Analiza urbanistiko-arkitektonike dhe projektimi i kompleksit banesor-afarist”. Projekti është bërë për kompaninë “ENK invest Group”. Kompania ka paraqitur se në këtë projekt ka bashkëpunuar edhe më disa tjera, duke e shkruar edhe emrin e kompanisë së kryetarit Përparim Rama “4M group”. Bëhet fjalë për referencën e paraqitur për projektin “Projekt menaxhmenti i Kompleksit Afarist Banesor”.

Kjo referencë është shumë e dyshimtë dhe Demokracia.com do të kërkojë një interpretim ligjor nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik nëse mund të merret si valide, sepse projekti i bërë nga “ANARCH” SH.P. K për ndërtimin e objektit shumëbanesorë me afarizëm në Lakrishte nuk është zbatuar.

E vërteta është se ai projekt ka dështuar dhe investitorët e tjerë e kanë blerë pronën dhe e kanë ndërruar të gjithë projektin. Prandaj, dyshimet janë se ajo është referencë negative, pasi projekti nuk është realizuar kurrë.

Kompleksi banesor është duke vazhduar ndërtimin mbi bazën e një tjetër projekti të bërë nga kompania “DB.A Architecht”; e cila është pajisur me leje të ndërtimit në vitin 2018 dhe siç shihet, projekti ka pësuar ndryshime duke u zhvilluar në 24 kate.

Tek referenca e paraqitur te ky projekt, kompania e Nixhës ka shkruar se ende vazhdon, ndërsa pak më poshtë ka shkruar se ka përfituar 6.5 milionë euro nga shërbimet e ofruara.

Siç vërehet, ai ka prezantuar dy shifra, një 11 milionë dhe tjetra 6.5 milionë, por s’ka ofruar dëshmi e referencë, siç kërkohet me DT dhe Ligjin e Prokurimit, pos vetëdeklarim. Ndërsa, i njëjti objekt, vite më parë është i paraqitur si projekt i Përparim Ramës. /Demokracia.com/(M.B.)

Të ngjashme