“Ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarët që vijnë nga kontinentet e largëta”.
Ky është shqetësimi që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalosi të premtën më 15 dhjetor 2023, në adresimn e saj vjetor në Kuvend, shkruan Demokracia.com.
Por, presidentja Osmani nuk i ka parë aspak pengesë procedurat kur ka nënshkruar dekretet për t’i pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosovës, miqtë dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit Albin Kurti.
Dejona Mihali, e cila njihet edhe si “nëntoka” e Lëvizjes Vetëvedosje dhe Martin Berishaj, i emëruar ambasador në Kroaci, por që është përfshirë në një skandal të madh financiar rajonal – janë përfituesit e shtetësisë së Kosovës me procedura të përshpejtuara nga presidentja Vjosa Osmani.
DEJONA MIHALI
As dy muaj nuk i janë dashur Dejona Mihalit që të marrë përgjigje pozitive nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kërkesën e saj për t’u pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosoës.
Më 4 shkurt 2022, Dejona Mihali kishte paraqitur kërkesën e saj në adresë të presidentes Osmani, e cila me shpejtësi të madhe i ishte përgigjur pozitivisht. Më 31 mars 2022, me procedurë të përshpejtuar, Osmani e kishte nënshkruar dekretin, me anë të të cilit, Dejona Mihali ishte bërë shtetase e Republikës së Kosovës.
Demokracia.com kishte raportuar ekskluzivisht për këtë favorizim të presidentes Osmani për bashkëpunëtoren e kryeministrit Kurti.
Dejona Mihali ishte përfolur në të kaluarën edhe si ideatore e dhunës politike të Vetëvendosjes, të cilën e përdori si mjet për të ardhur në pushtet.
Edhe pse paraqitjet e saj publike kanë qenë të rralla, kjo video nga një intervistë telefonike për ReportTV Tiranë, dëshmon paralajmërimet e Mihalit se protestat e dhunshme nuk do të ndalen në Kosovë.
“Protestat nuk ka mundësi të jenë të qeta”, deklaronte Mihali më 18 nëntor 2015 për Report TV, duke e arsyetuar dhunën e Vetëvendosjes me mostërheqjen e Qeverisë nga marrëveshjet me Serbinë.
Deklarimi i plotë i Mihalit për ReportTV: https://www.youtube.com/watch?v=F2CUpf_Ob30
MARTIN BERISHAJ
Ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes dhe mik i afërt i kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Martin Berishaj ishte pajisur mjaft shpejtë me shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Demokracia.com, Berishaj kishte paraqitur kërkesën e tij te UD presidentja Osmani më 7 janar 2021, një muaj para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat Vetëvendosje fitoi mbi 50% të votave.
Duke qenë se vendi ishte në fushatë zgjedhore dhe Osmani ishte vetëm Ushtruese e Detyrës së Presidentit, ajo nuk kishte “guxuar” që të nxjerrë dekretin për këtë kërkesë.
Më 4 prill 2021, Vjosa Osmani u bë presidente dhe vetëm 3 ditë më vonë, më 7 prill 2021, ajo nxori Dekretin me anë të të cilit, Martin Berishajt i dha shtetësinë e Kosovës, duke plotësuar kushtin kryesor që ai të mund të emërohet në ndonjë pozicion të lartë shtetëror.
Në maj të vitit 2021, me rekomandim të Qeverisë Kurti, pak javë pasi që ishte votuar si presidente, Vjosa Osmani ktheu 12 ambasadorë të emëruar sipas “çelësit politik”, vendimi i të cilës ishte një prej precedentëve më të mëdhenj në diplomacinë e Kosovës. Ndërsa, më 30.09.2021 presidentja Osmani kishte lëshuar dekretin për emërimin e Berishajt ambasador i Kosovës në Kroaci.
Vetëm një vit pas emërimit si ambasador, emri i Martin Berishajt mori përmasa të mëdha, për shkak të përfshirjes në një skandal të madh finacar në Slloveni, në vendin rezident të tij.
Sipas televizionit slloven PLANET TV, ambasadori kosovar kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” 600 mijë euro nga dega në Beograd e kompanisë energjetike sllovene, “GEN-I”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë politikanit slloven, Robert Golob. Pavarësisht fakteve të prezantuara në mediat rajonale, Berishaj u mor nën mbrojtje të paprecedent nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti. / Demokracia.cm/
https://demokracia.com/kurti-e-mbron-edhe-martin-berishajn-i-cili-pranoi-mijera-euro-nga-gen-i-serb/