Si gjithmonë, kryeministri Albin Kurti edhe kësaj radhe ka shkruar me hile kur ka reaguar lidhur me vrasjen makabre të Liridona Ademajt mbrëmjen e 29 nëntorit.
Pavarësisht ngjarjes tragjike, kryeministri Kurti ka përçuar qëndrime e mesazhe politike për Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit.
Në reagimin e tij të parë prej 194 fjalëve, Kurti nuk ka përmendur askund Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit që ende pa u bërë dy ditë arrestuan tre të dyshuarit e përfshirë, në mesin e të cilëve edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, si porositës të vrasjes, shkruan Demokracia.com.
Përveç që nuk i ka përmendur Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, Kurti nuk ka njohur meritat e institucioneve shtetërore që në një kohë rekord kanë arritur të kapin të dyshuarit, por edhe të qartësojnë ngjarjen e rëndë kriminale.
Madje, kryeministri Kurti në mënyrë të paprecedent ka shfrytëzuar ngjarjen e rëndë për të goditur sistemin e drejtësisë, ashtu siç bënë shpeshherë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
“Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, ka fajësuar Kurti qysh në ditën e parë të seancës për caktimin e masës së paraburgimit për 3 të arrestuarit.
Policia e Kosovës, së bashku me institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë, ku bënë pjesë edhe Prokuroria e Shtetit, kanë shkëlqyer këtë vjeshtë në shërbim ndaj atdheut.
Megjithkëto përpjekje të mëdha, kërkesat e Policisë së Kosovës, për të rifituar shtesat e rrezikshmërisë që dikur i gëzonin, nuk po gjejnë mbështetje të kryeministri Albin Kurti. Përveç që nuk kanë gjetur mbështetjen e kërkuar, Kurti ka shfaqur qasje ofenduese ndaj njësive elitare të Policisë së Kosovës e në shumë raste qasje sulmuese të papara edhe ndaj Prokurorisë së Shtetit. /Demokracia.com/
https://demokracia.com/shkelqimi-i-policise-se-kosoves-pa-mbeshtetjen-e-albin-kurtit/