Qeveria e Kosovës i ka reaguar mediumit “Koha”, më të cilën ka mjaft afërsi. Ky medium ka publikuar sot një lajm se “Kosova e pranon “planin e ri” bashkë me draftin për Asociacion si bazë për diskutime”.
Duke qenë se vajza e Surroit, Zojë Surroi, është këshilltare për media në Kryeministri, ndërsa babai i saj. Veton Surroi, këshilltar i Qeverisë Kurti për dialog, ky lajm u mor si shumë i besueshëm dhe u shpërnda nga shumica e mediave. Për më tepër, edhe ish-kryeredaktori i këtij mediumi është emëruar ambasador i Kosovës në Bruksel, ku edhe zhvillohet dialogu. Megjithatë, ky lajm nuk u ka pëlqyer pushtetarëve dhe menjëherë janë munduar ta demantojnë, shkruan Demokracia.com.
Lexo edhe:
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, i ka reaguar mediumit ”Koha” lidhur me titullin “Kosova pranon planin modern ‘evropian’ për Asociacionin’.
“Titulli e interpretimi i mëposhtëm, është i gabuar e i pavërtetë dhe nuk reflekton përgjigjen e dhënë nga Qeveria sot. Kryeministri Kurti ka pranuar takimin me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së. Mëtej, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri, i cili përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike bashkërisht me diskutimet për një draft për nenin 7 të saj. Pra, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve. Njëjtë, siç shkruhet dhe në përgjigjen e Qeverisë”, ka shkruar në ndër tjera, Kadiu.
Në një përgjigje për KOHËN, Qeveria ka konfirmuar se kryeministri Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë kornizë për vazhdimin e diskutimeve, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.
“Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë. “Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.
Megjithë reagimin e Klisman Kadiut, sinjale që ky draft i Asociacionit është i pranishëm për palën kosovare ka dhënë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ai ka thënë se ky draft është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. /Demokracia.com/